Bota Tech

TikTok nën hetim, këtë radhë nga autoritetet kanadeze të privatësisë!

Rregullatorët kanadezë të mbrojtjes së privatësisë kanë nisur një hetim ndaj TikTok mbi mbledhjen e tij të të dhënave të përdoruesve. Platforma e ndarjes së videove, në pronësi të gjigantit kinez ByteDance, është vënë nën shqyrtim për shqetësimet se i jep informacione Pekinit.

Masa e Kanadasë vjen pasi stafi i Komisionit Evropian u urdhërua të heqë aplikacionin për të “mbrojtur” institucionin. Zyra e Komisionerit të Privatësisë së Kanadasë tha se kishte nisur hetimin në TikTok së bashku me rregullatorët provincialë të privatësisë nga Quebec, British Columbia dhe Alberta.

Hetimi u nis “në vazhdën e padive grupore të zgjidhura tani në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, si dhe raportet e shumta të mediave në lidhje me mbledhjen, përdorimin dhe zbulimin e informacionit personal nga TikTok”, thuhet në një deklaratë. Masa synon të përcaktojë nëse praktikat e organizatës janë në përputhje me legjislacionin kanadez të privatësisë” Ata do të shqyrtojnë nëse kompania po përmbush detyrimet e saj të transparencës.

Ndërkaq, kompania kineze e mediave sociale po planifikon të hapë dy qendra të tjera të dhënash në Evropë, një lëvizje që mund të zbusë shqetësimet mbi sigurinë e të dhënave të përdoruesve dhe të lehtësojë presionin rregullator mbi kompaninë. TikTok ka kërkuar të sigurojë qeveritë dhe rregullatorët se të dhënat personale të përdoruesve nuk mund të aksesohen dhe përmbajtja e tyre nuk mund të manipulohet nga Partia Komuniste e Kinës ose dikush tjetër nën ndikimin e Pekinit.