Aktualitet

Tragjedia e Himarës, kryepolici Gledis Nano, vizitë ngushëllimi në familjen Avdia!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka zhvilluar sot një vizitë ngushëllimi në familjen Avdia, një ditë pas përcjelljes në banesën e fundit të Jonadës.

Nuk dua që të keqinterpretohet vizita ime sot këtu. Kam marrë pjesë në këtë ngushëllim për t’u shprehur me shumë hidhërim nga shpirti ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të fëmijës.

Kam ardhur si prind, si qytetar dhe falënderoj familjen Avdia, e cila i mirëpriti ngushëllimet e mia. Dhe që përveçse çfarë ka ndodhur dhe përgjegjësive, i mirëkuptoj dhe i falenderoj që ngjyrime të caktuara, i kanë lënë në një anë dhe janë duke vuajtur të gjithë atë çfarë ndodhi.

Dy ditë më parë, vajza 7-vjeçe u përplas për vdekje në breg të detit ndërsa pushonte me familjen në plazhin e Potamit në Himarë. Për tragjedinë që ka tronditur mbarë opinionin publik, u arrestua drejtuesi i mjetit lundrues, Arjan Tase.

Një ditë më parë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se e arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia”. Nën hetim është edhe zinxhiri drejtues i Drejtorisë së Kufirit në Vlorë.

Sipas Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi Arjan Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ishte e rrethuar me bova plastike.

Pasi zbarkoi në breg personat e tjerë në bordin e gomones, Arjan Tase kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur, duke i shkaktuar plagë të rënda që sollën humbjen e menjëhershme të jetës.

Në kuadër të veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit Arjan Tase për “Vrasje nga pakujdesia”, hetimet u shtrinë edhe ndaj strukturave policore. Në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, ato kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor sekuestroi mjetin lundrues, që rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.