Aktualitet

Turi i diasporës i kryeministrit Rama, sot me shqiptarët e Londrës!

Kryeministri Edi Rama në Londër për një takim me shqiptarët e Britanisë së Madhe e që organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën. Takimi zhvillohet në orën 12:00 me atë lokale dhe 13:00 me tonën.

Një ditë më parë, Rama ndau pamje nga salla ku do të mbahet, “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc”.

Gati shqipe, ready to go!


Pas dakordësisë të arritur mes palëve politike, për herë të parë shqiptarët e diasporës pritet të votojnë në pranverën e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare. Ky takim i kryeministrit Rama në Londër vjen pas atij të Selanikut, më 3 nëntor dhe turit me shqiptarët e Nju Jorkut në fund të muajit të kaluar.

Nga takimi me shqiptarë në Selanik, Rama dha lajmin se do të firmoset kontratë, që 8 mësuese të Gjuhës Shqipe t’u mësojnë gjuhën amtare vogëlushëve shqiptarë në Selanik. Po ashtu, bëri të ditur se ka marrë kërcënime nga ata që i quajti “fantazma të së shkuarës” që u ngritën në protestë, sipas tij “me parrulla të frymëzuara nga i ashtuquajturi “Vorio Epir”. Kryeministri vuri në dukje se si term “Vorio Epiri ka vdekur me kohë dhe me vakt”.

Në vazhdim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara, diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu për t’ju takuar. Me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga ai ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime, të cilat mua më shkaktojnë vetëm keqardhje. Njësoj siç më shkakton keqardhje çdo spazëm e kujtdo në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë fqinje dhe mike.

Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë dhe me vakt. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve e individëve të dalë boje dhe të dalë kohe këtyre anëve. Kush e përdor akoma sot termin Vorio Epir kur flet për jugun e Shqipërisë tregon vetëm dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e tij për të jetuar në shekullin e 21-të.

Këto janë fosile për gjynah, por nuk janë në asnjë mënyrë arsye që të ushqejmë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë.