Bota

Uragani Ian goditi Kubën, për pasoja po përgatitet edhe Florida!

Në Kubë, rreth 1 milion persona mbetën pa energji elektrike, pasi uragani Ian goditi pjesën perëndimore të ishullit. Siç bënë të ditur njëri prej termocentraleve kryesorë doli jashtë funksioni. Dy persona ndërruan jetë e disa ndërtesa u shkatërruan. Uragani Ian, i kategorisë së tretë, u shoqërua me erëra që arritën shpejtësinë deri në 205 kilometra në orë.

Në Kubë, uragani Ian preku tokën në provincën Pinar del Rio, ku ishin ngritur 55 vendstrehime dhe u evakuan 50 mijë persona. Aty u dërgua edhe personeli i emergjencave për të mbrojtur rajonin më të njohur të këtij vendi për prodhimin e duhanit.

Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi se Kuba pati pasoja “domethënëse nga erërat e stuhia”. Presidenti Miguel Diaz Canel, vizitoi provincat e prekura dhe u zotua që shteti të ndihmojë qytetarët.

Më pas, uragani Ian iu drejtua Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në ndërveprim me ujërat e ngrohtë të Gjirit të Meksikës do të shndërrohet në një furtunë me pasoja katastrofike të kategorisë 4.

Nuk ka dyshime se uragani Ian bëhet edhe më i fuqishëm mbi Gjirin e Meksikës, me erëra që llogaritet të arrijnë deri në 209 kilometra në orë, ndërsa i afrohet bregut jugperëndimor të Floridas, ku 2.5 milion njerëz janë urdhëruar të evakuohen.

Dëme pritet të shkaktohen në një zonë të gjerë të Floridas, pasi erërat të shtrihen në një rreze deri në 185 kilometra nga epiqendra.