Bota

Ushtria e Kinës nis stërvitjet për rrethimin e Tajvanit!

Në stërvitjet ushtarake treditore, ushtria e Kinës ka nisur të bëjë prova për rrethimin e Tajvanit. Pekini që Tajvanin e konsideron si provincë të shkëputur nga Kina tha se ky operacion është një “paralajmërim i ashpër” për qeverinë e ishullit. Manovrat nisën disa orë pasi presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, u kthye nga vizita e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit raportoi se 42 avionë ushtarakë kinezë dhe tetë anije kaluan vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit. Jozyrtarisht, kjo vijë ndan territorin kinez e atë tajvanez.

Stërvitjet ushtarake njëkohësisht do të organizojnë patrulla e përparime drejt ishullit të Tajvanit, duke formuar një rrethim të gjithanshëm. Raketat me rreze të gjatë veprimi, luftanijet, anijet me raketa, forcat ajrore, bombarduesit janë dislokuar nga ushtria e Kinës.

Tajvani e quan veten “shtet sovran”, me Kushtetutën dhe liderët e tij. Por, Kina është gati që kontrollin ta marrë edhe me forcë në rast nevoje. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u shpreh se “bashkimi me Tajvanin duhet të bëhet”.

Edhe pse Kina shpesh mban stërvitje përreth Tajvanit, “rrethimi” po shihet si përgjigje ndaj takimit të presidentes tajvaneze, Tsai me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Kevin McCarthy, takim që u zhvillua më herët gjatë kësaj jave.

Tsai tha sot se qeveria e saj do të vazhdojë të punojë me Amerikën e demokracitë e tjera, ndërsa vazhdojnë “të përballen me ekspansionizmin autoritar” nga Kina. Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit u zotua t’i përgjigjet stërvitjeve kineze me “qetësi, racionalitet dhe qëndrim serioz” bazuar në parimin që “të mos përshkallëzohet konflikti apo të shkaktohen pengesa në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të sigurisë”.

Gushtin e kaluar, Pekini kreu një javë stërvitje përreth Tajvanit, pas vizitës së kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Në ato stërvitje u përfshinë avionët luftarakë e luftanijet, si dhe u hodhën raketa balistike.