Bota

Vala e Omicron-it, fundi i pandemisë?

Me shumë gjasa, me variantin Omicron të koronavirusit, Europa po shkon drejt fundit të pandemisë. Këtë e deklaroi drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH për Europën, Hans Kluge.

Varianti Omicron, i cili mund të infektojë 60% të europianëve deri në mars, ka nisur një fazë të re të pandemisë COVID-19 në rajon, që mund të mbyllet me përfundimin e saj.

Ndërkohë, janë shënuar shumë përplasje ndaj kufizimeve COVID-19 pranë institucioneve të Bashkimit Europian në kryeqendrën europiane Bruksel. Demonstruesit hodhën sende në drejtim të policisë belge, e cila reagoi duke përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “varianti Omicron i koronavirusit mund të jetë më i butë se Delta, por mbetet i rrezikshëm, veçanërisht për të pavaksinuarit”.

Edhe pse numri i pacientëve të shtruar në spital po rritet në shumë vende, ky nuk është niveli që kemi parë tek valët e mëparshme.

Gjermania po përballet me rritje të rasteve me koronavirus pavarësisht se më shumë se gjysma e popullsisë është imunizuar me dozën përforcuese. Infektimet janë shtuar shumë, veçanërisht në Berlin, që në 7 ditë ka shënuar numrin më të madh në 100 mijë banorë. Brenda një jave, shkalla e incidencës ishte 1.473. Dy ditë më parë në një protestë, mijëra gjermanë kundërshtuan masat për të frenuar koronavirusin e vaksinimin e detyrueshëm.

Në Zelandën e Re, një prej shteteve të pakta që ka shmangur shpërthimin e Omicron-it, nga dje po aplikohen masa të reja kufizuese, por jo izolim. Bizneset nuk do të mbyllen e njerëzit mund të lëvizin lirshëm në mbarë vendin. Këto masa që kanë të bëjnë me maskat e ndalimin e grumbullimeve masive do të jenë në fuqi të paktën deri në fund të shkurtit. Për shkak të variantit Omicron, kryeministrja Ardern dhe partneri, shtynë dasmën.