Rajoni

“E ardhmja e Kosovës është në BE”, raportuese në PE: Anëtarësimi kërkon reforma…

E ardhmja e Kosovës është në BE, deklaroi raportuesi i saj në Parlamentin Europian, Riho Terras.

Megjithatë rruga anëtarësimit kërkon vazhdimin e reformave theksoi ai në një mesazh në platformën X, ku shtoi se “ne po punojmë në këtë drejtim”. Komentet e zyrtarit europian erdhën pas takimeve që ai zhvilloi në Prishtinë me përfaqësues të institucioneve dhe liderë politikë. Vizitën, Terras e nisi me një takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Gjatë takimit, Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe theksoi se përparimi i vendit drejt bllokut evropian duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë që do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe nisjes së negociatave për anëtarësim“, thuhet në njoftimin e Presidencës. Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa ende nuk ka hyrë në fazën e parë formale të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Ajo mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Terras u takua më tej me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Vizita e tij vjen vetëm pak javë pasi Parlamenti Europian miratoi rezolutën e tij vjetore për Kosovën. Pas votimit të rezolutës, ai theksoi se zbatimi i reformave dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Brukseli, mbeten faktorë kyç në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun europian.