Fashion

Historia e “Bomber Jacket” dhe mënyrat si mund ta vishni…

Kulmi i popullaritetit të një xhakete lëkure erdhi në vitet 50 të shekullit 20. Ajo u bë pjesë e imazhit të Hollivud-it, prandaj u bë e përhapur në të gjithë botën. Dhe deri më sot, “xhaketa prej lëkure” nuk vjetërsohet dhe vazhdon të ecë me kohën.

Pak veshje i kanë rezistuar ndryshimeve të veshjeve mashkullore si xhaketa e ashtu-quatjur ‘Bomber-Jacket’. Origjina e saj vjen nga uniformat e aviacionit Ushtarak dhe tërheqja ndaj saj është e kuptueshme, sepse kush nuk do të dëshironte të dukej si Tom Cruise tek filmi “Top Gun”. 

Nuk është vetëm çështje stili, më shumë se sa përmbatje, ajo që e solli këtë xhaketë nga vitet 1940 të jetë aq ndikuese në pasarelat e stilistëve më ndikues sot e kësaj dite, e të vishet nga imazhe publike po aq ndikuese si Kanye West, Daniel Craig dhe David Beckham, sa për të përmendur disa, dëshmitarë të provës së përshtatjes së saj.

Dhe siç ndodh me shumë veshje të cilat kanë gati një shekull në qarkullim, edhe xhaketa ‘Bomber’, ka pësuar përditësimet e saja, për t’u dalluar lehtësisht nga ‘radari’ i modës.

Më poshtë gjeni disa udhëzime se si mund ta përdorni në të përditshmen tuaj duke u ndjerë ‘luftarak’ e trendi në të njëjtën kohë.

 

1.       Bomberi i lëkurës me pellush

E veshur nga Tom Cruise aka Lieutenant Pete “Maverick” Mitchell në ‘Top Gun’-in e vitit 1986 është një lloj veshje klasike. Ajo u prezantua nga Marina Amerikane në fund vitet ’30 për të përballuar motin e ftohtë, dhe ka edhe një variant më pak të ‘fryrë’ që doli 10 vite më vonë. E mbi quajtur xhaketa Bomber G-1, për shkak të fluiditetit të saj në jetën e përditshme – kujtojmë këtu – pantallonat e policave dikur që i merrnim borxh për të shkuar në dasma – pre meme – pre Tik Tok – pre Facebook etj – erdhi si pjesë e koleksioneve të Yves Solomon, Dunhill, Tom Ford.

Kjo xhaketë është një prej atyre gjërave që duhet ta keni në garderobën tuaj, edhe nëse nuk ngisni një motorr të shpejtë.

 

Një Bomber Lëkure duhet të jetë e butë dhe e ngrohtë, por nuk ndihet asnjëherë shumë e rëndë mbi supet tuaja… -shpjegon Yves Solomon duke shtuar se “një e tillë cilësore duket nga qepja e cila nuk duhet të ketë asnjë gabim, në të kundërt shikoni për diçka tjetër”.

Si ta veshim?

Duke qënë se është e trashë nuk ka nevojë për shumë shtresa poshtë edhe pse mund të jetoni në klimë të ftohtë. Xhinse, të bardha ose blu, Pantallona Cargo jeshile, atlete ose kambale dhe jeni gati për të dalë, me një karizëm që do të bjerë në sy.

2. Bomberi i Lëkurës

Arsyeja sepse kjo xhaketë në fillimet e saj ishte prej lëkure lidhet me nevojën e përballimit të jetës së vështirë ushtarake, diçka që lëkura e përballon si pak të tjerë. Për të janë përdorur lëkura dhie, deleje, kali, materiale disi të ashpra, ndaj u desh pak kohë të ‘zbuteshin’.

Sot Bomberi i Lëkurës prodhohet nga çdo dyqan masiv deri tek Loro Piana, Tod’s, Tom Ford dhe Valstar, madje ka zëra që thonë se diferenca nuk është e dukshme, të paktën me sy të parë.

 

Një lëkurë e mirë duhet të ndjehet e butë, gati si e vajosur dhe një lloj relievi jo të shpërndarë neutralisht, nëse ndjehet si plastike apo shumë e gomuar, atëhere nuk është lëkurë origjinale më shumë se një material i modofikuar kimikisht. – shprehet Luigi Fila i Valstar.

 

Si ta veshim?

Kjo lloj xhaketë vishet lehtësisht në përditshmëri, me një këmishë me mëngë të shkurtra ose nëse jeni në një ambient më formal me këmishë me kollare.

 

3. Xhaketa e Universitetit

Edhe pse nuk është një xhaketë tipike bomber ADN vjen nga kjo e fundit. Për herë të parë ajo u shfaq në kampuset e universiteteve në fillim vitet ’30. Xhaketa në vetvete është një evolucion i trikos veshur nga atletët e Harvard-it në 1880’s në një variant me kopsa.

Ka diçka shumë cool tek tradita që sjell Xhaketa me material leshi – e gjitha e punuar me dorë, një veshje që koha e bën thjeshtë më të bukur… – thotë Gary Williams, pronar i Golden Bear, një Dyqan në New York i specializuar në ‘Xhaketat e Universitetit’. Ornamentet prej lëkure me ngjyra të ndezura, krahët disi të fryrë, e bëjnë këtë xhaketë përfekte për ndrrimin e stinëve.

Si ta veshim?

Në çdo moment të ditës veç mbrëmjes, kombinuar me pantallona slim fit, golfe apo T-shirt-e, atlete old-school dhe mbase një model flokësh si John Travolta tek Grease.

 

4. Bomber-i bashkëkohor.

Edhe pse shprehja ‘nëse nuk është e prishur, mbaje’ zë vendin e saj, kërkimet për diçka të re kanë sjellë një formë të re të xhaketës, në material, xhepa dhe ngjyra duke ruajtur vetëm formën dhe duke pasuruar çdo gjë tjetër.

Gucci dhe Saint Laurent janë dy prej gjigandëve të modës që kanë përdorur ngjyra ekzotike, materiale nga fësh-fësh-i deri tek mëndafshi dhe një lloj xhakete më e lehtë për mbrëmjet e freskëta të fillim-verës.

Amiri, Celine Homme, Etro dhe Billionaire Boys Club ofrojnë dizajne edhe më guximtare – për  ju që nuk e vrisni mendjen për komentet e botës.

Si ta veshim?

Në varësi të materialit dhe ngjyrës kjo xhaketë kombinohet me bluza me ngjyra të forta dhe atletet e tepruara të ‘Balenciaga’ ose ‘AMCQ’.

Nëse doni ta theksoni edhe më xhaketën, vishni një t-shirt neutral poshtë dhe figura do të jetë e garantuar. Problemi i vetëm i tyre, ngaqë bien shumë në sy nuk mund ta vishni shumë shpesh, nëse nuk doni që feed-i i Instagram-it t’ju bëhet i mërzitshëm.

 

5. Bomberi Ushtarak

Bomberi më i përhapur sot mori jetë në 1927 në atë që quhet xhaketa A-1, nxjerrë nga Forcat Ajrore Amerikane, për të mbrojtur pilotët nga kushtet e vështira me të cilat mund të përballeshin nëse do të hapnin kabinën në rast emergjence.

Pra specifikat e saj ishin komplet utilitare, e fortë, rezistente me fundin e mëngëve të llastikut – një detaj që i rezistoi kohës. Materiali i përdorur në to ishte mëndafshi i parashutave dhe nga luftërat e Koresë e më vonë Vietnamit – xhaketa ishte po aq e nevojshme saç ishte një shenjë dalluese e ushtarëve amerikanë.

Dhe duke qënë se tek veshjet ushtarake moda bazohet shpesh – nuk mund të shpetonte këndvështrimi i saj tek kjo xhaketë e cila vjen edhe në këtë sezon nga A.PC apo Valstar.

Si ta veshim?

Një xhaketë e tillë flet vetë, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm për kombinimet. Balanca është çelësi; bluzë e bardhë, ose golf gri – ose nëse doni të eksperimentoni, visheni sipër një xhakete gjysmë – sportive.