Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Zgjedhja për të ardhur me një koncert të tijin në Tiranë, Shpat Deda: “Është një dashni e vjetër, e madhe…”

Ditën e sotme në emisionin “Live From Tirana”, ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike, artisti i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, Shpat Deda. Bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar Visar Kuçi dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, ai vjen me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore për herë të parë për publikun e gjerë tiranas. Shpati do të vijë me një koncert më 19 maj në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti i artistit do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio.

Si është lidhja jote me Tiranën?

Është një dashni e vjetër, dashni e madhe. Prej Top Festit dhe Top Select-it aty e kam nisur. Aty ishte paraqitja e parë prandaj në këtë udhëtimin tim në muzikë, Tirana e ka një vend shumë të veçantë. Marr shumë ngrohtësi sa herë që vij në Tiranë. Por gjithashtu unë kam familje tiranase, që do të thotë se jam pak tiranas edhe unë, kështu që nuk është e rastësishme kjo dashuri. Por është e bukur sepse është dhe e ndërsjelltë, aq sa ju dua unë ju, aq më doni edhe ju mua. Kur kemi biseduar herën e fundit e kam pasur dëshirën për një koncert në Tiranë, por ende nuk ishin ‘puzzle pieces’ në vend. Por tani po organizojmë diçka shumë të bukur në 19 maj dhe unë mezi po e pres.

Sa mendon se artistët nga Kosova promovohen këtu?

Nuk mund të flas për të tjerët, por për vete. E kam pasur gjithmonë derën hapur në Tiranë. Rasti është edhe me një koncert të tillë. E kam pasur një bashkëpunim të madh nga Top Media, Top Channel dhe Top Albania Radio që sot i kam partner shtyllë në këtë koncert. Sa herë që kam pasur dëshirë të organizoj diçka, jam ndierë gjithmonë shumë i mirëseardhur në Tiranë. Por besoj që edhe të tjerët e kanë diçka të ngjashme, sepse është më shumë kulturë se sa favor. Ekziston një dëshirë për të përkrahur projekte serioze, njerëz që kanë ide dhe për të ndihmuar këto ide që të shkojnë përpara.

Sa mendon që audience e ka përqafuar Shpatin gjatë rrugëtimit muzikor?

Të gjithë aktivitetin tim muzikor e bazoj në shijet e mia dhe në atë që duhet të shpreh. Në momentin që ndiej se nuk kam diçka për të shprehur, pauzoj, prandaj kam pauza mes albumeve. Duke pasur këtë parasysh mund të shihet si një mënyrë pak më vetjake e qasjes në muzikë. Por kur bazohesh në gjëra të vërteta, në emocione të vërteta njerëzore, atëherë ke për të gjetur njerëz të shumtë që ndiejnë një artikulim të një emocioni që ata janë duke e përjetuar për vete. Kjo më ka ndodhur mua. Kam vënë re që ky numër është rritur dhe ka njerëz që m’i zbulojnë këngët që kanë dalë që para 15 viteve. Dhe kjo më gëzon shumë, do të thotë që kam bërë diçka. Është një rrugëtim i vështirë, por për mua ia ka vlejtur. Dhe ky koncert është kulminacioni i gjithë këtij rrugëtimi, pasi do të vij me një format shumë interesant, material shumë interesante, skenografi shumë të bukur dhe do të ketë dhe surpriza që do t’i lajmëroj në ditët në vazhdim.

Bli biletën tënde në www.vivere.al