Rajoni

Zhvillimet në veri të Kosovës, Kremlini: Duhen mbrojtur të drejtat e interesat serbe!

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj legjitime duhet të mbrohen. Siç raporton agjencia e lajmeve, Reuters, Peskov u shpreh:

Ne e mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët. Ne besojmë se duhet të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës. Nuk duhet që të ketë vend për veprime provokuese.

Në fillimjavë, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov tha se situata në Kosovë “është alarmante” dhe se mund të provokojë “një tjetër konflikt në qendër të Europës”. Rusia që ka nisur pushtimin e fqinjes së saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, njihet si aleate e Serbisë dhe vazhdimisht mbështet veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Në një tjetër zhvillim, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të udhëtojë për në Moldavi, për të takuar presidentin serb, Aleksander Vuçiç. Sipas burimeve, Lajçak do të qëndrojë edhe në Prishtinë e Beograd, në ditët në vazhdim. Të hënën e 5 qershorit, në Moldavi mbahet samiti i dytë i Komunitetit Politik Europian, i nisur tetorin e kaluar në Pragë të Çekise, me nismën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Në samit do të marrë pjesë edhe Vuçiç, ndërsa Lajçak do të shkojë atje vetëm për të biseduar me të lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ku janë rikthyer tensionet. Në Beograd ende nuk janë shprehur mbi këto paralajmërime.

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, si pasojë e situatës së krijuar në veri të vendit. Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, pas diskutimit në një forum të organizuar në Bratisllavë të Sllokavisë, ai e quajti “fatkeqësi” përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ndërkombëtare ushtarake “Defender Europe 23”.

“Të rrezikshme e të paqëndrueshme”. Kështu e përshkruan kryediplomati Josep Borrell, situatën në veri të Kosovës ku vazhdojnë protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan ku ata përbëjnë shumicën e kërkojnë largimin e kryekomunarëve, si dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Pas përleshjeve me dhjetëra të plagosur në fillimjavë, KFOR-i ka vendosur tela me gjemba para godinave të komunave.

Borrell foli pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratisllavë të Sllovakisë. “Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, tha zyrtari i lartë, referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.