Pas votimit në Prishtinë, Albin Kurti e cilësoi të sotmen si “ditë të bukur dhe të rëndësishme” e iu bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime. Votuesve, kryeministri në detyrë, i cili drejton Vetëvendosjen, iu sugjeroi që paraprakisht të verifikojnë vendvotimin në faqen e KQZ-së, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë”.
Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë.
Iu bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare për të përcaktuar përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës, në legjislaturën e 11-të!
Mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar në mbarë territorin e Kosovës për të mbikëqyrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe siç thuhet në njoftimin zyrtar, për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo rast për të cilin dyshohet se cenon integritetin e votës.