Aktualitet Sociale

Zjarret e verës, Peleshi: Bashkitë dhe emergjencat nuk kanë pushime, por ushtria duhet të përdoret e fundit

Temperaturat e larta dhe vatrat e zjarreve të shfaqura deri më tani premtojnë një verë të vështirë sa i takon situatës së zjarreve në vend.

Nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme dhe veçanërisht ajo e vitit të kaluar, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u ka bërë apel bashkive dhe administratorëve të zonave pyjore që të jenë të vëmendshëm në monitorim në mënyrë që vatrat të izolohen që në shfaqje të tyre dhe jo kur zjarri ka marrë malin.

Në këtë kuadër, Peleshi ka deklaruar se për bashkitë, emergjencat civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, nuk do të ketë pushime në verë.

Gjithashtu, ministri Peleshi deklaroi se bashkive dhe institucioneve të tjera lokale u janë akorduar fonde të posaçme për situatën e zjarreve dhe se ato duhet të marrin masat, pasi nuk është normale që për çdo vatër zjarri të kërkohet menjëherë ndërhyrja e ushtrisë.

“Kemi shpërndarë 10 milionë euro për bashkitë, vetëm në buxhet për investime në parandalimin e fatkeqësive natyrore, ushtria është hallka e fundit, nuk mund të jetë siç jemi mësuar deri më tani”, tha ministria.

Emergjenca e zjarreve, Peleshi: Nuk ka sens të blihen helikopterë që duhen mirëmbajtur, më mirë të jesh brenda mekanizmit europian të emergjencave

Fatmirësisht, vatrat e zjarreve të shfaqura deri më tani në zona të ndryshme të vendit kanë arritur të fiken brenda disa orëve, me përjashtim të zjarrit në ishullin e Sazanit i cili zgjati disa ditë deri në ndërhyrjen e avionit të posaçëm i ardhur nga Greqia.