Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes së humorit, shtimi i stresit, ankthit dhe pakënaqësive janë ndër gjendjet më të shpeshta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre femrat. Simptoma të cilat bëhen edhe më të dukshme në prag të ciklit menstrual. Përsëritja e tyre e vazhdueshme vjen si shkak i pranisë së sindromit premenstrual, i cili shfaqet më së shumti në moshat 20-35 vjeçare. Sindromi premenstrual, i quajtur ndryshe edhe tensioni premenstrual, është përfshin disa simptoma emocionale, të cilat ndryshojnë nga personi në person, pra, janë individuale për çdo grua.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numërohen më shumë se dyqind simptoma që shoqërojnë këtë çrregullim, por ato që janë pothuajse të pranishme në të gjitha situatat janë: nervozizmi, tensioni dhe pakënaqësia. Simptomat e përbashkëta emocionale dhe jospecifike përfshijnë stresin, ankthin, pagjumësinë, dhimbje koke, lodhje, çrregullime të humorit, rritjen e ndjeshmërisë emocionale dhe ndryshimet në dëshirën seksuale.
Ndër simptomat fizike të lidhura me ciklin menstrual, përmendim: gjakderdhjen në sasira të ndryshme, dhimbje barku, dhimbje muskujsh dhe kockash, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, si edhe aknet ciklike. Çdo grua ka zakonisht modelin e vet të simptomave personale. Ndërsa një grua mund të jetë e shqetësuar dhe e tensionuar, një tjetër grua mund të zhytet në depresion dhe lotë për dy ditë të plota përpara çdo cikli dhe një tjetër grua mund të inatoset lehtë edhe për probleme të vogla që shfaqen në jetën e përditshme.
Për vite të tëra, gratë që perjetonin shqetësime të ndryshme si, pagjumësi dhe luhatje humori gjatë moshës së mesme, shpesh nuk pranoheshin nga mjekët me justifikimin se i imagjinonin simptomat e tyre. Por studimet e reja na konfirmojnë se këto janë ndryshime reale që truri pëson gjatë periudhës së menopauzës.
Studimet e bëra me gratë para, gjatë dhe pas menopauzes tregojnë ndryshime të rendësishme në strukturën e trurit, lidhjen dhe metabolizmin e energjisë. Këto ndryshime janë të dukshme në skaner dhe ndjehen nga shumë gra, thotë neuroshkencëtarja Lisa Mosconi, autore e “Trurit të menopauzës”.