Vivian Wilson, vajza transgjinore e Elon Musk, doli në skenë mbrëmjen e së premtes në Los Angeles, duke debutuar një pamje mbresëlënëse me një kostum të zi, ngjitur pas trupit, që elektrizoi publikun e mbledhur në sallë.
Vivian, e cila dihet se është një kritike e hapur e babait të saj, i dha jetë një performance të fuqishme në sallën e koncerteve “The Bellwether”, në qendër të Los Angeles.
Ajo interpretoi me lip-sync një këngë operistike, duke bërë lëvizje akrobatike që i ngritën spektatorët në këmbë mes duartrokitjeve të zjarrta.
Eventi ishte pjesë e shfaqjes “SAVE HER! — një Drag Show Mjedisor”, organizuar nga aktivisti i drag Pattie Gonia. Të gjitha të ardhurat nga mbrëmja u dhuruan për një fond ligjor që mbështet imigrantët e prekur nga bastisjet e fundit federale për dëbimin e migrantëve pa dokumente.
Përveç Vivian, në skenë u ngjitën edhe artistë të tjerë të drag si Vera!, Nini Coco, Jacob Ostler, Vivllainous, Skirt Cocaine, Noxxia Datura dhe Trudy Tective. Por, ishte e qartë se Vivian ishte ylli i mbrëmjes.