Bota

Varrimi i Papa Françeskut më 26 prill, detajet!

Ndërsa të shtunën e 26 prillit do t’i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut, Vatikani jep detaje. Në orën 10:00, para sheshit Shën Pjetër do të kremtohet Mesha e Dritës dhe do të bëhet varrimi i Papa Françeskut, kryesuar nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Kardinali Giovanni Battista Re. Më pas, arkivoli do të vendoset në bazilikën romake të Santa Maria Maggiore-s, sipas dëshirës testamentare.

Kështu, Mesha e Dritës dhe funerali i Papa Françeskut do të mbahen në ditën e parë të Novendiali-t, përpara Bazilikës së Shën Pjetrit, siç parashikohet në Ordo Exsequiarum Romani Pontificis. Novendiali quhen nëntë ditë zie zyrtare pas vdekjes së Papës. Gjatë kësaj periudhe, kremtohen meshë për shpirtin e Papës së ndjerë, që kulmojnë me funeralin e Françeskut dhe që do të kryesohet nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve.

Kjo u njoftua nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Selisë së Shenjtë, duke bërë të ditur se liturgjia mortore do të kryesohet nga kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinalëve. Në përfundim të kremtimit Eukaristik do të bëhet bekimi dhe përshëndetja e fundit (Ultima commendatio e Valedictio). Më pas, arkivoli i Papës çohet në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe prej andej, në Bazilikën e Santa Maria Maggiore-s për varrim.

Disa krerë shtetesh dhe qeverish kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre. Nesër në mëngjes, trupi zhvendoset nga Casa Santa Marta, në Bazilikën e Vatikanit, ku do të nisin vizitat e besimtarëve. Sot paradite kongregacioni, mbahet mbledhja e parë e kardinalëve.

Në fillim të këtij viti, Papa u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes, çka më vonë e çoi në pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte për ditë të tëra në mjediset spitalore. Si Papa i 266-të i Kishës Katolike, Françesku ishte i pari nga kontinenti amerikan dhe i pari i lindur jashtë një shteti të Europës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar. Djalë i dy prindërve nga Italia e që emigruan në Argjentinë ka punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958-ën.

Si prift u shugurua më 1969-ën dhe u bë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën mes viteve 1973-1979. Më 1988-ën u emërua peshkop i kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e pati ngritur në funksione duke e bërë pjesë të Kolegjit të Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013-ën, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, emrin Françesk e zgjodhi për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin që kishte ndaj përulësisë e të varfërve.