Varrimi i Papa Françeskut do të mbahet këtë të shtunë, më 26 prill, në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Kjo u bë e ditur sot nga Selia e Shenjtë. Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, mbylli sytë një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Shkak u bë një hemoragji cerebrale dhe dëmtimi i pakthyeshëm i zemrës. Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa probleme shëndetësore.
Në vitin 2021, iu nënshtrua një operacioni në zorrën e trashë ndërsa më 2023-shin pati një tjetër operim në abdomen për të trajtuar hernien. Po ashtu përballej me dhimbje kronike të gjurit e të shpinës dhe shpesh lëvizte duke përdorur karrocë me rrota. Pavarësisht këtyre komplikimeve, vazhdoi të ndiqte një agjendë të ngarkuar, kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër vende të botës.
Në fillim të këtij viti, Papa u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes, çka më vonë e çoi në pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte për ditë të tëra në mjediset spitalore.
Si Papa i 266-të i Kishës Katolike, Françesku ishte i pari nga kontinenti amerikan dhe i pari i lindur jashtë një shteti të Europës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar. Bergoglio, djalë i dy prindërve nga Italia e që emigruan në Argjentinë ka punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958-ën.
Si prift u shugurua më 1969-ën dhe u bë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën mes viteve 1973-1979. Më 1988-ën u emërua peshkop i kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e pati ngritur në funksione duke e bërë pjesë të Kolegjit të Kardinalëve.
I zgjedhur Papë më 2013-ën, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, emrin Françesk e zgjodhi për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin që kishte ndaj përulësisë e të varfërve. Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin te mëshira, Drejtësia Sociale dhe kujdesi mjedisor.