Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 620-të. Dje në mbrëmje, një sulm izraelit goditi televizionin shtetëror iranian, duke shkaktuar disa vdekje. Në përgjigje, të paktën 20 raketa iraniane goditën Izraelin gjatë natës. Shpërthime të forta u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Ushtria izraelite njoftoi se vrau gjeneralin iranian Ali Shadmani, i emëruar të premten e 13 qershorit si kreu i selisë qendrore të Khatam al-Anbiya/s, komandës së unifikuar të forcave të armatosura iraniane që koordinon operacionet e përbashkëta ushtarake.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e ka përjashtuar eliminimin e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Khamenei, i cili ndodhet në një bunker nëntokësor që nga e premtja e javës së kaluar kur nisën sulmet izraelite.
Irani bëri të ditur se shkatërroi “objektiva strategjike” në Izrael duke përdorur dronë një natë më parë.
Lloje të ndryshme dronësh sulmi, të pajisur me aftësi të sakta targetimi e shkatërrimi, hodhën në erë pozicione strategjike të regjimit sionist në Tel Aviv dhe Haifa, në Izraelin verior.
Njoftimin e cituar në televizionin shtetëror e dha gjenerali Kioumars Heidari, komandant i forcave tokësore të ushtrisë.
Kina akuzon presidentin amerikan, Donald Trump se po i “hedh benzinë” konfliktit Iran-Izrael, pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi banorët e Teheranit që të “evakuojnë menjëherë” qytetin.
Hedhja e benzinës, bërja e kërcënimeve dhe rritja e presionit nuk do të ndihmojnë në nxitjen e shtensionimit, por vetëm sa do ta intensifikojnë e zgjerojnë konfliktin, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, kur u pyet për komentet e Trump-it në konferencën e përditshme informuese.
Në një tjetër zhvillim, dyzet e pesë palestinezë u vranë në një sulm izraelit në Gaza pranë një pike shpërndarjeje të ndihmës humanitare. Bilancin e njoftuan zyrtarët e shëndetësisë në Rripin e administruar nga grupi radikal palestinez Hamas, siç raportohet nga Haaretz.
Parisi, Berlini dhe Londra i kanë kërkuar Teheranit të negociojë “sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte” mbi programin e tij bërthamor, bëri të ditur një burim diplomatik francez.