Bota

Trump-banorëve të Teheranit: Evakuohuni!

Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer më herët në Uashington nga samiti i Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7), në Kanada, për shkak se duhet të trajtojë “çështje të rëndësishme”, siç raportoi Shtëpia e Bardhë. Njoftimi erdhi pak pasi përmes rrjeteve sociale, Trump iu bëri thirrje banorëve të Teheranit që të largohen menjëherë nga qyteti.

Irani është dashur ta nënshkruajë marrëveshjen. Iu thashë ta nënshkruanin. Sa turp dhe sa humbje jetësh njerëzore. Thënë thjesht: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë vazhdimisht, shkroi Trump në Truth Social. Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!

Më herët, ushtria izraelite lëshoi një njoftim duke iu bërë thirrje banorëve të një qarku të Teheranit që të evakuohen. Paralajmërimet vijnë në kohën kur Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Iranit, që synojnë të shkatërrojnë objektet bërthamore të Republikës Islamike.

Para vendimit për t’u larguar më herët nga samiti në Kanada, Trump iu tha gazetarëve:

Sapo të largohem, ne do të bëjmë diçka. Por, më duhet të largohem.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se duke pasur parasysh qëllimin për të arritur armëpushim në Lindjen e Mesme, largimi i Trump-it nga samiti i G7-ës është një zhvillim pozitiv, teksa theksoi se amerikanët kanë ofruar të takohen me iranianët.

Nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë të sigurojnë një armëpushim, kjo është një gjë shumë e mirë.

Më vonë, Trump iu përgjigj kësaj deklarate të Macron-it e vuri në dukje se gabimisht, udhëheqësi francez tha se ishte larguar nga samiti për të punuar për një armëpushim mes Izraelit e Iranit.

Gabim! Ai nuk ka idenë pse po kthehem tani në Uashington, por me siguri nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Eshtë diçka shumë më e madhe se kaq. Qoftë qëllimisht apo jo, Emmanuel gjithmonë gabon, theksoi Donald Trump në Truth Social.

Para largimit të Trump-it nga samiti, të shtatë udhëheqësit nënshkruan një deklaratë ku theksohej “rëndësia e mbrojtjes së civilëve”, pas rritjes së sulmeve që kanë shkaktuar viktima civile në të dyja vendet.

Irani kurrë nuk do të mund të ketë armë bërthamore. Izraeli ka të drejtë që të mbrojë veten.