Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Nga 35.64% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka fituar numrin më të madh të tyre, përkatësisht 10.744 apo 52.14%. Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e dytë me 5 mijë e 853 ose 28.40%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 7.94%, 1 mijë e 637 vota të siguruara. Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e katërt gjendet koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 980 vota apo 4.76%.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka pranuar më shumë se 63 mijë pako me fletëvotime. Për votimet e 9 shkurtit, krahas votimit me postë, qytetarët jashtë vendit, për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe sipas KQZ-së, LVV mori më shumë, 12 mijë e 261 apo 80.71%. Pas përfundimit të numërimit të votave me postë do të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.
Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike, fillimisht në Kosovë përfundoi numërimi i atyre të rregullta. Sipas rezultateve paraprake të votimit të rregullt, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05. E treta, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% e më pas Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më shumë vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62%.