Rajoni

Vdekja e 27 vjeçarit, miratohet dorëheqja e komandantit të Policisë në Lipjan!

Për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, konfirmoi se ka miratuar kërkesën e Komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, për të dhënë dorëheqje, pas rastit të raportuar më herët gjatë javës në këtë komunë, ku gjeti vdekjen 27-vjeçari Agon Zejnullahu.

Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar, u shpreh shkurt Hoxha në një përgjigje me shkrim.

Pesë efektivëve të Policisë së Kosovës që e ndaluan Zejnullahun më 7 korrik iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, si të dyshuar për kryejen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Rasti mori vëmendje të konsiderueshme pasi nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga ajo që ndodhi në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura e në gjunjë, teksa më pas dërgohet me autoambulancë.

Policia kishte dyshime se Zejnullahu ka qenë nën ndikimin e alkoolit e po sulmonte automjete dhe kalimtarë, kur u ndalua nga forcat e rendit.  Dje pas seancës dëgjimore, mbrojtja e të pandehurve deklaroi se nuk beson se të pezulluarit kanë kontribuuar apo shkaktuar vdekjen e tij.

Zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, bënë thirrje për hetime e zbardhjen e rastit. Familja e viktimës deklaroi se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Duke folur për disa media në Prishtinë, dy ditë më parë, vëllai i tij tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia.

Trupi kishte shumë shenja e thyerje.

Përfaqësues të shoqërisë civile shprehën shqetësimin për mënyrën si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan. Ata vunë në dyshim nëse policët e përfshirë kishin trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj. Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren.