María Branyas Morera lindi në San Francisko të Kalifornisë, më 4 mars 1907 dhe ndërroi jetë në Olot të Katalonjës, më 19 gusht 2024, në moshën 117 vjeç e 168 ditë. Për shumë vite ishte personi më i vjetër që ka jetuar ndonjëherë në Spanjë, e teta me jetëgjatësinë më të madhe në historinë e njerëzimit.
Por për të, pas vdekjes, filloi një lloj jete e dytë, falë studimeve shkencore të një ekipi mjekësh në Institutin e Kërkimeve të Leuçemisë “Josep Carreras” në Barcelonë, duke i shqyrtuar trupin dhe evolucionin kronologjik në detaje, me rezultate shumë interesante të botuara në revistën Cell Reports Medicine.
Studiuesit spanjollë u përqendruan në dy aspekte unike e të jashtëzakonshme të jetës së Maria Branyas: si ajo sfidoi rregullin natyror se sa më shumë plakemi, aq më shumë sëmuremi dhe si me jetëgjatësinë e shëndetshme e të fuqishme, arriti të përfaqësonte një shembull njerëzor të ndarjes midis të qenit i moshuar dhe të qenit i sëmurë. Kështu, përmbushi ëndrrën e të gjithë njerëzve në plakje:
Të jetojnë një jetë të gjatë, por në gjendje të mirë fizike dhe mendore.
Duke mbledhur mostra gjaku, pështyme, urine e jashtëqitjeje për të kuptuar se cilët faktorë gjenetikë, mjedisorë dhe të sjelljes kontribuan në jetëgjatësinë e saj, studiuesit spanjollë arritën në përfundime me vlerë të madhe shkencore në lidhje me jetëgjatësinë, pleqërinë dhe cilësinë e jetës – të gjitha çështje shumë të rëndësishme e të ndërlidhura.
Lidhur me gjenet, Maria pati fat, nëse mund ta quajmë kështu, pasi jetoi me telomere shumë të shkurtra (rajonet terminale të kromozomeve që mbrojnë ADN-në), duke kufizuar aftësinë e qelizave për t’u ndarë pafundësisht e duke zvogëluar mundësinë e përhapjes së qelizave të dëmtuara, çka potencialisht shkaktojnë kancerin.
Një analizë e ADN-së së saj zbuloi disa variante gjenetike që i ofruan Marias mbrojtje të shkëlqyer për qelizat e zemrës dhe të trurit nga sëmundjet kardiovaskulare e demenca. Gruaja gjithashtu kishte nivele të ulëta të inflamacionit në të gjithë trupin e saj, të cilat mund të kenë ulur rrezikun e kancerit e të diabetit dhe metabolizëm efikas të kolesterolit e yndyrës, të gjithë faktorë vendimtarë për jetëgjatësinë, pasi ato janë të lidhura me sëmundjet tipike që çojnë në vdekje te të moshuarit.
Duke përdorur modifikime të ADN-së që tregojnë se si sillet trupi në lidhje me moshën biologjike, studiuesit spanjollë llogaritën se mosha biologjike e Marias ishte shumë më e re se mosha e saj kronologjike, afërsisht 20-30 vjet më e re.
Lidhur me faktorin e dytë thelbësor që e çoi Marian të bëhej gruaja më e vjetër në botë me shëndet të shkëlqyer deri në fund të ditëve të saj (ajo gjithashtu i mbijetoi COVID-it), stili i jetës së gruas spanjolle ishte shumë i thjeshtë, i matur dhe i shëndetshëm. Sigurisht që kjo i ndikoi në shëndet, deri në ditën e fundit të jetës.
Maria ndiqte një dietë mesdhetare, të pasur me ushqime të freskëta, fruta, perime dhe vaj ulliri e konsumonte rregullisht kos (deri në tre në ditë). Nuk pinte duhan dhe as alkool. Merrej me aktivitet fizik të moderuar por të vazhdueshëm, veçanërisht përmes shëtitjeve të gjata dhe të këndshme.
Kishte një jetë shoqërore shumë aktive, me hobi dhe lidhje jashtëzakonisht të forta familjare. Nga kjo perspektivë, të paktën, historia e saj na mëson se nuk është aq e vështirë të arrish moshën 117 vjeç, në gjendje të mirë fizike e mendore.