Aktualitet Bota

Vendet e BE ndalojnë aplikimet e azilit për sirianët pas ndryshimit të pushtetit

Gjermani e Austria kanë ndaluar procedurat e vizave pas rënies së Damaskut ndaj grupeve të armatosura rebele.

Gjermania ka ndaluar procedimet e refugjatëve të ardhur nga Siria, në pritje të vlerësimit të situatës së sigurisë atje, pas përmbysjes së papritur të qeverisë së Bashar al Assad, shkruan rrjeti vendas Der Spiegel.

Mediat thonë se zyrat e emigracionit në Berlin urdhëruan ndalimin e përpunimit të dokumentacionit për azilkërkuesit sirianë, çka besohet se prek rreth 47,000 aplikime.

LEXO EDHE: U betua si kryeministri i ri i Sirisë, kush është Mohammed al-Bashir?

Der Spiegel shtonte se vendimi nuk ka pasoja mbi vendimet e marra aktualisht, duke cituar si burim zyrtarë të emigracionit.

Zhvillimi vjen teksa grupe opozitare si Hayat Tahrir-al-Sham (HTS) apo Ushtria e Sirisë së Lirë, e mbështetur nga SHBA, morën dhe kontrollin e kryeqytetit pas një avancimi të shpejtë në vend. Ndërsa Assad dhe familja e tij kanë marrë azil në Rusi.

Situata raportohet e paqartë dhe nuk mund të parashikohet çfarë do të ndodhë, tha një punonjës emigracioni për Der Speigel, duke përmendur arsyet e vendimit.

Rreth 1 milionë sirianë jetojnë tashmë në Gjermani, të ardhur me politikën e “dyerve të hapura” të ish-kancelares Merkel 12 vjet më parë.

Austria njoftoi sot një vendim të ngjashëm duke pezulluar procedurat e azilit për sirianët, ndërsa ministria e brendshme tha se “po përgatitet për riatdhesime të rregullta”.

Rreth 95,000 sirianë jetojnë në Austri kur 13,000 kërkesa azili ishin duke u marrë në konsideratë, shkruan rrjeti Reuters, ashtu si dhe rrjeti rus RT.

LEXO EDHE: FOTO: Njerëzit plaçkisin shtëpinë private të Asadit në Damask! Rusia thirrje OKB-së për takim