Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec.
Një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij të cilën e mori peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Për këtë ngjarje banorët e fshatit Vidhisht janë shprehur të tronditur, duke sqaruar se familja e viktimës ishin njerëz të rregullt.
“Jemi të shokuar. Njerëz për së mbari, në punë të tyre, shumë të rregullt si fis. Ata nuk kanë qenë të martuar, ishin fejuar disa vite më parë. Ngjarja ndodhi sot në mëngjes. Të gjithë janë banorë të këtij fshati, edhe autori edhe viktima”, u shpreh një banor i fshatit.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Roskovec/Informacion paraprak
Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.