Aktualitet Music Rajoni

Vetëm pak ditë pas Eurovizionit, nis peticioni për pranimin e Kosovës në Festivalin Europian të Këngës!

Së fundmi ka nisur një peticion për pranimin e shtetit të Kosovës në Festivalin e muzikës europiane, “Eurovision”. Ka qenë gazetari Albert Limani që ka bërë hapin e parë për krijimin e këtij peticioni.

Nismëtari kërkon mbështetjen e qytetarëve të cilët duke nënshkruar këtë peticion ndihmojnë në arritjen e qëllimit, dërgimit të Kosovës në “Eurovision 2022”. Në njoftim thuhet se:

Eurovizioni mbaroi për këtë vit, por jo edhe angazhimi jonë për ta çuar Kosovën vitin e ardhshëm në Itali. Duke vlerësuar rëndësinë e zërit të qytetarëve, kërkojmë nga ju që të na mbështesni duke nënshkruar këtë peticion i cili ka për qëllim ta dërgojë Kosovën në Eurovision 2022. Kosova tashmë është pjesë e organizatave të mëdha dhe është koha që edhe Rrjeti i Transmetuesve Evropian (EBU) t’i hapë dyert për Kosovën (RTK).

Rikujtojmë, se pas 31 vitesh, Italia fitoi “Eurovision Song Contest 2021”. Triumfin në Festivalin e Sanremos, grupi Maneskin e përsëriti me këngën “Zitti e buoni” në finalen e zhvilluar në Ahoy Arena të Rotterdam-it.

Por, pak momente pas shfaqjes një video virale e tyre qarkulloi me shpejtësi në rrjet ku lideri i grupit, Damiano përkulet në tavolinë sikur po konsumonte kokainë. Grupi i famshëm i kanë mohuar këto akuza duke thënë se kjo është diçka qesharake pasi ata janë kundër përdorimit të çdo droge.

Së fundmi, Damiano David, vokalisti i grupit italian “Maneskin” ka rezultuar negativ në testin e drogës. Ndërkaq, këngëtarja që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2021”, Anxhela Peristeri u kualifikua e para për në finalen e madhe në Roterdam dhe u rendit e 21-ta.

Përfaqësuesi i Zvicrës këtë edicion të “Eurovision 21”, Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit Gjon’s Tears, arriti të merrte një rezultat historik në festivalin prestigjioz. Një mbështetje të tillë ai nuk e gjeti nga mediat serbe, të cilat e kanë sulmuar hapur artistin.