Aktualitet

“Via Egnatia” rrethohet me asfalt, reagon Auron Tare: Çmenduri dhe injorancë/ Kryebashkiaku i Peqinit: Komente keqdashëse!

Studiuesi Auron Tare reagoi ashpër për ndërhyrjet që po bëhen në rrugën Egnatia.

Në një kërkesë drejtuar kryeministrit Edi Rama, Tare kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi sipas tij, “Via Egnatia” trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës”.

Vendet fqinje, thotë ai, i mbrojnë dhe restaurojnë pasuri të tilla të trashëgimisë kulturore, teksa thekson se “Via Egnatia është Udha jonë për në Europë”.

Postimi i plotë i Tares:

Z. Kryeministër, vini dorë ju lutem vini dorë për të ndërhyrë dhe për të ndaluar këtë masakër në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri. Përpos fakti që po bëhemi qesharakë në sytë të botës, po shkatërrojmë edhe atë pasuri që kemi trashëguar ndër shekuj.

Trashëgimia jonë Kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë megjithë dëshirën e mirë që mund të jetë arsyeja e këtyre ndërhyrjeve kaq qesharake dhe absurde.

Rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe futja e OJF, firmave dhe Institucioneve që nuk kanë kapacitete po sjell dëme të pakthyeshme në Trashëgimi.

Via Egnatia një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian. Rruga ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut. Rruga ku shkelen Perandorët e cdo epoke Imperiale nga Roma drejt Konstandinopojes. Nga ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike prej Jeruzalemit. Nga ku kultura e Orientit mbriti në Europë. Rruga nga ku barbarët rrënuan civilizime por pa e shkatërruar atë. Rruga e Kryqëzatave që vërshuan drejt Lindjes. Udha prej ku Sulltanët hijerëndë Otomanë vërshuan drejt Europës së Krishterë. Via Egnatia trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës.

Shikoni se si fqinjët tanë janë kujdesur për këtë copë të trashëgimisë Europiane. Maqedonia, Greqia e ruajnë me fanatizëm. Shikoni si Italia e restauron dhe e mbron Via Apian simotrën e Egnatias që vinte nga Roma drejt Brundisiumit për tu lidhur me Egnatian.

Via Egnatia është Udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë përpara se Europa të na shikojë me perbuzje për këto që po bëjmë ndaj Trashëgimisë së saj.

Foto
1. Via Egnatia e “restauruar” nga Bashkia Peqin
2. Pjese e Via Egnatia ne Maqedonine Veriore
3. Via Egnatia ne Filipi, Greqi,
4. Via Egnatia ne Kavalla Greqi,
5-7 Via Apia Rome

 

Kryebashkiaku i Peqinit, Bukurosh Maçi, ka reaguar  pas apelit publik të studiuesit Auron Tare për frenimin e rrethimit me asfalt të Rrugës historike Egnatia.

Sipas vizionit të kryebashkiakut, konturimi me asfalt i Rrugës Egnatia e bën atë të pavdekshme. Ai i konsideron keqdashëse kritikat dhe thotë se që përveç shfrytëzimit për turizëm, rruga përdoret edhe nga banorët e zonës.

“Aty kanë qenë të gjithë në gjithë këto vite dhe nuk e kanë përmendur asnjëherë Peqinin kur ishte i mbuluar nga ferrat dhe kur as nuk njihej si vend. Sot që në punojmë ngrihen e bëjnë vërejtje.

Keqdashës s’na lënë të bëjmë punën, ne po i nxjerrim në pah vlerat arkitekturore.

Unë i kam kërkuar edhe Auronit ndihmë dhe mbështetje për të ruajtur arkelolgjinë e zonës madje kam trokitur në çdo institucion. Peqini nuk ka pasur vëmendje asnjëherë.

Tani me asfaltin, a kam bërë mirë a kam bërtë keq s’e di. Asfalti aty është dhe hiqet, por e mbron rrugën dhe e bën të pavdekshme. Unë kam menduar që rruga të shfrytëzohet edhe për turizëm por të kenë akses edhe banorët aty, sepse ajo është zonë e banueshme.

Aty është një urë mbi 2400-vjeçare e kemi ruajtur se është gati në të shembur. kemi bërë thirrje që të mirëmbahet”,- deklaroi Maçi