Bota

Kryediplomatët e NATO-s në Bruksel mes përpjekjeve për armëpushim në Ukrainë!

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, sot  nisin një takim dyditor në Bruksel, ku pritet të diskutojnë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të aleancës, ndërsa vendet europiane përballen me presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte:

Takimi zhvillohet në një moment veçanërisht kritik për sigurinë e përbashkët, me sfida shumë të mëdha, që ne të përballemi me to individualisht.

Rutte këmbënguli se Amerika mbetet e përkushtuar ndaj aleancës, pavarësisht kritikave se presidenti amerikan, Donald Trump, po minon marrëdhëniet transatlantike.

Unë e di që ka pasur retorikë të ashpër. E di që ka pasur aleatë, për shembull, në këtë anë të Atlantikut, të cilët janë të shqetësuar për angazhimin afatgjatë të SHBA-ve ndaj NATO-s. Amerikanët e kanë përsëritur vazhdimisht: Ne jemi të përkushtuar ndaj NATO-s. Ne jemi të përkushtuar ndaj Nenit 5.  Jam absolutisht i bindur se kjo aleancë do të vazhdojë të ekzistojë me SHBA-të. Angazhimi i tyre është absolutisht i qartë.

Aleatët e NATO-s janë të vendosur të paraqesin një front të bashkuar për të kundërshtuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, por ata europianë po shprehen se përpjekjet e tyre janë margjinalizuar. Në kërkim të një akordi të shpejtë për armëpushim, Uashingtoni sugjeroi se Ukraina mund të duhet të bëjë koncesione territoriale. Po ashtu, Amerika ka ndërmarrë hapa për të rinisur dialogun me Rusinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të marrë pjesë në takim së bashku me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andriy Sybiha dhe shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas.

Rubio mund të përballet me pyetje nga aleatët, të cilët janë të alarmuar, të zemëruar e të hutuar nga lëvizjet e administratës Trump, për të përmirësuar raportet me Rusinë dhe nga sulmet e saj verbale ndaj partnerëve të vjetër transatlantikë.

Bazuar në atë që kanë parë e dëgjuar që kur Trump-i mori detyrën në muajin janar, zyrtarët europianë kanë shprehur shqetësime të thella mbi rolin e ardhshëm të SHBA-ve në aleancën ushtarake perëndimore.

Ka gjasa që Rubios t’i bëhet presion që të shpjegojë dëshirën e shprehur të Trump-it për ta bërë Kanadanë, aleaten e NATO-s, shtetin e 51-të të SHBA-ve, si dhe përpjekjen e tij për të aneksuar Groenlandën, territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, një tjetër aleate e NATO-s.

Rubio shkoi sot në Bruksel, ku shoqërohet nga ambasadori i sapokonfirmuar i SHBA-ve në NATO, Matt Whitaker. Pritet që ai të përcjellë mesazhin se aleatët europianë duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, si dhe të ndajnë më shumë barrën financiare.