Bota

Vizita e Macron në Izrael, lideri francez takohet me Abbasin në Bregun Perëndimor!

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili më parë foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka nisur një takim me homologun e tij të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në Ramallah të Bregut Perëndimor.

Macron është lideri i parë perëndimor që takohet me Abasin, që pas nisjes së sulmeve mëngjesin e 7 tetorit në territoret e Izraelit.

Ende nuk dihet se çfarë kanë diskutuar dy liderët, por në agjendën e publikuar paraprakisht në fokus mbetej përshkallëzimi i situatës.

E vetmja gjë që është fotografuar nga mediat është shtrëngimi i duarve të dy drejtuesve, të vendeve që kanë reaguar vazhdimisht për sulmet Izrael-Hamas.

Më herët ndërsa foli në një konferencë për shtyp me Netanyahun në Tel Aviv, Macron bëri thirrje që koalicioni ndërkombëtar që ka luftuar grupin Shteti Islamik të zgjerohet për të luftuar Hamasin.

Tridhjetë e tre amerikanë kanë vdekur nga sulmi i Hamasit në Izrael, tha sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Numri i vdekjeve është një më i lartë sesa tha të premten Departamenti i Shtetit .

Më herët të martën, zyrtarët amerikanë thanë se ishin rreth 10 amerikanë të zhdukur, përfshirë edhe pengjet të mbajtur nga Hamasi.