Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me një kërkesë zyrtare për dekretimin sa më të shpejtë të Ligjit nr. 85/2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, të miratuar më 12 dhjetor të këtij viti.
Shoqata thekson se ligji është i shumëpritur nga rreth 500 mijë familje shqiptare që synojnë rivlerësimin e pasurisë në vlerën e tregut, si dhe nga dhjetëra mijëra familje të tjera që shpresojnë për alternativa strehimi më të përballueshme.
Kërkesa e plotë:
I nderuar Shkëlqesia Juaj Z. BEGAJ,
Na lejoni që pikë së pari të urojmë mbarësi dhe gëzim në këto ditë të fundit të 2025.
NAREA ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet pozitive gjatë këtij viti dhe sidomos iniciativat për mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me një tatim të korrigjuar.
NAREA ka punuar ngushtësisht me Ministrinë e Financave, me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, me Ligjvënësit dhe me çdo palë tjetër të përfshirë në proces përfshirë dhe miratimin e Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
Miratimi i Ligjit 85/2025, nuk është vetëm suksesi i punës 12 Mujore të NAREA, por dhe Një lajm i shumëpritur prej 1 vit e gjysmë tashmë:
1. Për 500 mijë familje shqiptare që presin të rivlerësojnë pasurinë e tyre në vlerën e tregut si dhe
2. Më e rëndësishmja për dhjetëra mijëra familje të tjera që shpresojnë për një alternativë strehimi të përballueshëm si rezultat i implementimit të këtij ligji.
NAREA ndjek me shqetësim zgjatjen e paarsyeshme të procesit të Dekretimit të Ligjit 85/2025 dhe për pasojë:
A. Shtyrjen e botimit në Fletoren Zyrtare
B. Vonesën e hyrjes në fuqi përtej datës 1 Janar 2026
C. Pengimin e prodhimit të Akteve Nënligjore duke çuar në situata absurde në sektor dhe aspak të favorshme për qytetarët shqiptar. Ka 1 vit e gjysmë që është dërguar propozimi. NAREA pavarësisht se ka shprehur në mënyrë konstante rezerva për masën e Tatimit 5% për banesat, pavarësisht se ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e Amortizimit 1%/vit vjetërsi, beson shumë se një vonesë e mëtejshme e Dekretimit të këtij ligji do të sjellë efekte shumë më negative, duke shtuar stresin në treg përtej presioneve inflacioniste, prezentë prej 18 muajsh tashmë.
NAREA bën thirrje që të Dekretohet sa më parë të Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për
Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, për të përshpejtuar botimin në fletoren zyrtare dhe për pasojë hyrjen në fuqi si dhe emetimin e Akteve Nënligjore.
Njëkohësisht, NAREA kërkon angazhimin sa më parë dhe bashkëpunimin e të gjithë Institucioneve, duke filluar nga Qendra e Botimeve Zyrtare, Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës në nxjerrjen sa më parë të Akteve Nënligjore dhe Udhëzimit të Përbashkët për zbatimin e Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
NAREA, organizatë me shtrirje kombëtare dhe ndërkombëtare, është anëtare me të drejta të plota e dy organizmave më të rëndësishëm global në sektorin e real estate, e NAR (NATIONAL ASSOCIATION OF REALTORS®) me prezencë në Washington, D.C., USA dhe CEPI (European Association of Real Estate Professions) me seli në Bruksel, EU pranë Komisionit Evropian.
Pranë CEPI, në Bruksel NAREA udhëheq Task Forcën e Përhershme të Komunikimit me Komisionin dhe Parlamentin Evropian.