Sport

Vllaznia kap Dinamon në krye! Tirana zhytet në zonën e ftohtë, frymëmarrje për Bylisin.

Sot janë luajtur tri ndeshje të Superiores, që kanë vlerë për javën e 20-të. Egnatia, Bylis dhe Vllaznia korrën fitore respektivisht ndaj Laçit, Dinamos dhe Tiranës.

Vllaznia ka siguruar një fitore dramatike me përmbysje 2-1 përballë Tiranës, duke u kthyer përsëri në kreun e renditjes së kampionatit.

LEXO EDHE: Zyrtare, Cikalleshi i jep drejtim të ardhmes, kalon te skuadra turke

Në një ndeshje me dy tablo, ka qenë Tirana që ka dominuar plotësisht pjesën e parë duke gjetur golin me Haxhiun dhe duke shpërdoruar raste të shumta për shënim për të mbyllur ndeshjen. Por në fraksionin e dytë të lojës, Vllaznia hyri me një qasje tjetër në fushë dhe krijoi menjëherë raste duke gjetur shpejt barazimin me Balajn.

Më pas, shkodranët u dukën më në kontroll të lojës, teksa Brdariç shtonte forcat sulmuese në fushë. Gjithsesi, u desh një tjetër veprim spektakolar i Balajt për të vulosur fatin e sfidës, teksa shënoi golin e 2-1 pak minuta para fundit. Tirana provoi të gjente barazimin, e ndalur nga Jukaj dhe traversa në shtesë, teksa e sheh veten pas humbjes së sotme në zonën e rënies nga kategoria.

Tashmë Vllaznia ndodhet në vend të dytë, por me aq pikë sa Dinamo kryesuese. Në anën tjetër Egnatia ndjek me 1 pikë më pak, po aq sa Partizani.

Bylisi me fitoren e marrë përballë Dinamos, tashmë mban vendin e shtatë. Në anën tjetër Laçi që humbi kundër Egnatias pozicionohet në vendin e tetë.

Tirana tashmë mban vendin e parafundit.

Ndeshjet e luajtura sot, më 10 janar:

Egnatia 1-0 Laçi

Bylis 2-1 Dinamo

Vllaznia 2-1 Tirana

LEXO EDHE: Doli nga fusha mes lotësh/ Zbulohet dëmtimi i Armando Brojës, ja sa pritet të mungojë sulmuesi i Kombëtares shqiptare

Nesër është për t’u luajtur përballja mes Partizanit dhe Skënderbeut si dhe Elbasani-Teuta.