Mbi 157 mijë emigrantë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë miratuar rreth 125 mijë aplikime, ndërsa u është refuzuar kërkesa mbi 32 mijë e 300 zgjedhësve.
Më së shumti janë refuzuar aplikimet nga Italia, ndjekur nga Greqia dhe Gjermania, për shkak të adresave të paqarta ose të gabuara, shpeshherë në mënyrë të qëllimshme.
Regjistrimet sipas qarqeve
Tiranë 25,481 regjistrime 20.4%
Fier 16,301 regjistrime 13.0%
Durrës 12,847 regjistrime 10.3%
Korçë 12,523 regjistrime 10.0%
Elbasan 12,260 regjistrime 9.8%
Vlorë 10,257 regjistrime 8.2%
Berat 8,888 regjistrime 7.1%
Shkodër 7,899 regjistrime 6.3%
Lezhë 6,615 regjistrime 5.3%
Gjirokastër 5,124 regjistrime 4.1%
Dibër 4,969 regjistrime 4.0%
Kukës 2,025 regjistrime 1.6%
Paketa e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor e propozuar nga PS që lehtëson votën e diasporës është miratuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Nisma parashikon afrimin e afateve të regjistrimit të partive, koalicioneve zgjedhore dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, mbulimin e të gjitha shpenzimeve postare për votën e diasporës, si dhe numërimin e votës së diasporës nga KQZ dhe përfaqësues të partive.
Ndërkohë që mazhoranca refuzoi të votojë nismën e demokratëve, sipas të cilës të drejtën për regjistrim në Platformën e KQZ ta kenë edhe ata shqiparë në diasporë, duke përdorur një mjet identifikimi të një shteti tjetër.
Megjithatë, socialisti Damian Gjiknuri la të hapur mundësinë për realizimin e kërkesës së opozitës.
Mbledhja e komisionit të Ligjeve i parapriu diskutimeve dhe votimit në seancën plenare të së enjtes, ku do të qartësohet nëse ndryshimet në Kod do të votohen apo jo, marrë parasysh se për rishikimin e ligjit elektoral nevojiten të paktën 84 vota deputetësh.