Aktualitet

Vrasja e Gilmando Danit, policia kërkon ndihmën e Spanjës!

Zyrtarisht, Policia e Tiranës i kërkoi autoriteteve spanjolle informacion mbi lëvizjet dhe qëndrimin katërditor të Gilmando Danit dhe M.Sh. në Barcelonë, pak kohë para atentatit të 11 nëntorit, pranë rrethrrotullimit të Rinasit. Deri më tani nuk është marrë përgjigje zyrtare nga pala spanjolle.

Që pas ngjarjes së rëndë kriminale, policia zhvilloi kontrolle të gjera në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Tiranën, Kamzën, Niklën e Fushë-Krujën. Gjatë operacioneve janë kontrolluar godina të braktisura dhe banesa të personave të skeduar më herët, por nuk është gjetur asnjë provë me vlerë për hetimin.

Sipas burimeve të hetimit, janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës Gilmando Danit dhe të të plagosurit. Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës ka përcaktuar se Gilmando Dani ka ndërruar jetë pasi ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë sekuestruar mbi 80 gëzhoja.

Në Spitalin e Traumës, i plagosuri vijon të jetë në gjendje kritike dhe i intubuar, pasi ka marrë 10 plumba, dy prej të cilëve në kokë.

Ndërkohë, burime zyrtare sqarojnë se Komisariati i Rinasit, si pjesë e Policisë Kufitare, ka kompetencë vetëm brenda territorit të aeroportit. Zona përreth aeroportit, ku dyshohet se ndodhi atentati, mbulohet nga Komisariati i Vorës, që shpërndan shërbimet sipas nevojës.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të aeroportit dhe bizneseve përreth, të cilat po analizohen me detaje për të identifikuar autorët dhe bashkëpunëtorët e mundshëm. Gjithashtu, po hetohen persona që kanë qëndruar në zonë e janë larguar menjëherë pas atentatit me automjetin tip “Mercedes-Benz S-Class” ngjyrë të bardhë, me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe M.Sh.

Ndërkohë, targat e mjetit tip “Toyota” që u gjet i djegur në fshatin Halil të Fushë Krujës, të përdorur nga autorët, rezultuan të vjedhura në Greqi një vit më parë. Grupi hetimor ende nuk ka përcaktuar nëse makina është e vjedhur apo jo, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri.

Sipas burimeve, autorët kanë qenë katër persona, tre qitës dhe një shofer, të larguar nga zona e Niklës drejt Rinasit dhe më pas janë kthyer sërish në të njëjtin drejtim. U përdorën 4 katër armë, ndërsa njëri prej autorëve, pasi ka qëlluar fillimisht me kallashnikov, doli e qëlloi nga afër me pistoletë ndaj Gilmando Danit.

Gjithashtu i plagosuri M.SH, ishte i punësuar prej pak kohës në AMP, por nuk rezultonte që të kishte certifikatë sigurie, ndaj nisi një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gilmando Dani ishte emër i njohur për drejtësinë dhe njihej si mik i Emiljano Shullazit. Më herët, ndaj tij ishin kryer edhe dy atentate në vitet 2011 e 2015, por që iu kishte shpëtuar.