Sport

Spanja kampione bote, një kombëtare që luan si skuadër klubi!

Spanja që me plot meritë u shpall kampione bote ka një trajner si Luis de la Fuente, i cili ka ndërtuar një kombëtare me karakteristikat e një skuadre klubi. Secili e di saktësisht atë çfarë duhet të bëjë në çdo moment të ndeshjes. Gabimet janë reduktuar në minimum, edhe ato individuale, që shpesh përcaktojnë rezultatin.

Nuk është e lehtë të arrish të zhvillosh disa automatizma loje, kur ke në dispozicion lojtarë për pak ditë. Spanja ia ka dalë në këtë drejtim dhe triumfi botëror e certifikon de la Fuenten si një trajner zotëri. Shumë më shumë se një trajner normal, një maestro me “M” të madhe.

Spanja kampione bote është një skuadër pa yje të vërtetë. Eshtë Lamine Yamal, vërtet, por në Botëror shkoi në gjendje fizike jo të mirë, kështu që ishte si gjithë të tjerët. Në pak raste u tregua vendimtar, “ndezi” në ndonjë rast, por qe në shërbim të grupit, pa sjellje prej ylli në fushë. E dinte që ishte i dobishëm, jo i pazëvendësueshëm.

Për trajnerin de la Fuente, një vlen një dhe duhet t’i shërbejë skuadrës. Nëso kjo nuk ndodh, një vlen zero dhe luan dikush tjetër. Pedri është një lojtar i afirmuar, titullar te Barcelona, por kur nuk ka funksionuar, ia ka lënë vendin Fabian Ruiz-it.

Nëse kjo Spanjë nuk ka yje, me siguri ka shpirtin e saj, ka lojtarë që më shumë se të gjithë imponojnë një stil loje me prezencën e tyre. Mesfusha e jashtëzakonshme e “La Roja”-s nuk do të ishte e njëjta, nëse nuk do të udhëhiqej nga Rodri, i rikthyer në nivelin e “Topit të Artë”.

Rodri nuk lëviz nga qendra e mesfushës edhe kur ndaj tij luhet pisët. Ai ndihmon çdo lojtar që është në vështirësi. Gjendet gjithmonë në vendin e duhur, në momentin e duhur, bën gjithmonë lëvizjen më të nevojshme për skuadrën.

Shpirti tjetër i skuadrës është Cubarsì. Mbron shumë mirë dhe ka një aftësi të jashtëzakonshme të vertikalizojë lojën, përveçse gjuan në ndonjë rast.

Falë freskisë së Cubarsì (i riu më i mirë i Botërorit), por edhe eksperiencës së Laporte dhe bashkëpunimit të Pedro Porro dhe Cucurella, Spanja ka pasur mbrojtjen më të mirë të turneut.

Pa harruar portierin Unai Simon, që bën pak pritje, por di që të bëhet lojtari i 11-të në lëvizje me daljet e tij. Një libero i viteve ’70. Tani rekordi i pathyeshmërisë në Botëror është i tij.

Spanja ka pësuar vetëm një gol, atë ndaj Belgjikës dhe ka lejuar 8 gjuajtje në portë nga 8 skuadrat, me të cilat është përballur. Edhe ky është një rekord.