Vrau 13 vjeçaren shqiptare Aurora Tila në Itali, 17 vjet burg autorit, i cili ishte 15 vjeç në kohën e krimit, tetorin e 2024-ës. Vendimin e dha Gjykata e të Miturve në Bolonja ndërsa prokuroria kërkoi rreth 21 vite heqje lirie.
Ngjarja tronditëse nuk ishte aksidentale, Tila u shty duke u rrëzuar për vdekje nga ballkoni i katit të 7-të në banesën e saj në Piacenza. Autori nuk pranonte ndarjen mes tyre. Në fillim, u dyshua për një aksident, por hetimet e mëvonshme zbuluan se pas vdekjes së saj qëndronte një akt dhune. Pasi u arrestua nën akuzën e vrasjes me dashje, fillimisht e mohoi përfshirjen.
Sipas ekspertizës në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Pavias, dëmtimet në trupin e vajzës treguan qartë se ajo nuk ishte hedhur vetë, por u shty. Kjo i shkaktoi fraktura të shumta, por goditjet fatale ishin ato në kokë, që i sollën vdekjen e menjëhershme. Në kyçet e duarve u gjetën shenja të forta, që dëshmonin përpjekjen për t’u kapur pas parmakut përpara se të binte.
Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës morën dëshmi nga tre persona që ndodheshin në afërsi të vendngjarjes. Dy prej tyre thanë se e kishin parë Aurorën të varur pas parmakut, ndërsa djali e godiste me grushta në duar. Një dëshmitar tjetër deklaroi se i dëgjoi britmat, pak çaste përpara se të binte.
Pas analizës së provave, dëshmive dhe ekspertizës mjeko-ligjore, Gjykata e të Miturve në Bolonjë shpalli fajtor 16-vjeçarin për vrasje me dashje dhe e dënoi me 17 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, prej 20 vitesh e 8 muajsh, ndërsa mbrojtja, lirimin nga akuzat.
Prindërit e shqiptares u shprehën se drejtësia u vu në vend, por se sipas tyre do të ishte më mirë që 16 vjeçari të dënohej me 20 vite burg e jo 17.
Jam e kënaqur me dënimin prej 17 vitesh burg, edhe pse 20 do të ishin më mirë. Të paktën, drejtësia është vënë në vend. Gjithmonë kam besuar tek drejtësia, e kam thënë këtë që nga fillimi, u shpreh nëna e Aurorës.