Aktualitet

Vritet në Spanjë i riu nga Vlora, ishte arrestuar për drogë e grabitje!

Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Endrit Sinaj, 29 vjeç me origjinë nga Vlora ka mbetur i vdekur në Spanjë, në rrethana ende të paqarta. Mediat spanjolle raportojnë se Sinaj u plagos me armë zjarri në Girona dhe u gjet në rrugë nga një bashkëkombas që njoftoi për transportimin e tij në spital, por bëhet e ditur se ky i fundit nuk ka lidhje me ngjarjen. I riu ndërroi jetë, duke mos i mbijetuar një plage në pjesën e barkut, referuar po mediave spanjolle.

Sa i përket viktimës, mësohet se ai kishte një të kaluar të lidhur me trafik droge e grabitje të dhunshme në Spanjë, si dhe në Shqipëri. Pak ditë më parë, 29-vjeçari Endrit Sinaj u lirua me kusht në Spanjë ku policia e arrestoi me një shqiptar tjetër në kuadër të një operacioni të trafikut të marijuanës në Marbella.

Ai u prangos në La Selva dhe gjykata në Blanes, i dha liri të përkohshme, ndryshe nga bashkëpunëtori i tij, i cili u burgos.

Po ashtu, bëhet e ditur se Endrit Sinaj kishte dhe llogari të hapura në Shqipëri. Ai ishte pjesë e një grupi prej pesë personash që u arrestuan në tetor të vitit 2020 në qytetin e Vlorës.  Pasi kishin kontrolluar objektivin e tyre me dron, Sinaj dhe bashkëpunëtorët e tij sulmuan një shtëpi të maskuar, të armatosur e duke u shtirur si policë.

Endrit Sinaj dhe bashkëpunëtori i tij, Lulëzim Elmazaj fituan lirinë e përkohshme nga Gjykata e Vlorës që pati vendosur masën “Detyrim për paraqitje”.