Rajoni

Vuçiç dhe Dodik “kërcënojnë” me aleancë ushtarake me Hungarinë!

Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, po shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak. Pas Vuçiçit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake e të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.

Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjalukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.

Askush këtu, nuk i kushtoi vëmendje çështjes, ndaj mund të arrijmë në përfundimin se kjo është më tepër një çështje e zemrës për regjimin në Beograd, se për atë në Budapest, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë, gazetari nga Budapesti, Gabor Bodis.

Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për qëndrimin e tyre rreth krijimit të mundshëm të një aleance ushtarake apo të sigurisë, për të cilën flasin Vuçiç e Dodik. As NATO nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje të REL-it.

Në Beograd, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiç e Kristof Szalay-Bobrovniczky, më 1 prill nënshkruan Planin e Bashkëpunimit Ushtarak mes ministrive të tyre për vitin 2025. Ky dokument konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes, të arritur më 2023-shin.

Pas firmosjes, Vuçiç deklaroi se beson që marrëveshja për aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë me afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo pakti ushtarak Serbi-Hungari. Vuçiç theksoi se ai dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, dëshirojnë të vazhdojnë përshpejtimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, “veçanërisht duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Europë e në botë”.

A është kjo përgjigje ndaj marrëveshjes së Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërinë?

Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, mendon se marrëveshja e nënshkruar nuk ka rëndësi të madhe në praktikë, por është “propagandë e Vuçiçit për publikun e brendshëm”.

Orban ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij, Vuçiçit, që ky të mos dukej i dobët para opinionit publik dhe për të ruajtur prestigjin në Serbi pas deklaratës për bashkëpunim ushtarak të Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës, si dhe protestave masive në të gjithë Serbinë.