Rajoni

Vuçiç për QUINT-in: Veproni që Kurti të mos nisë një luftë të re në Ballkan!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç kërkesë QUINT-it, që të bëhet gjithçka që sipas tij, Albin Kurti të mos nisë një luftë të re në Ballkan. Vuçiç sot foli me përfaqësues të vendeve që e përbëjnë dhe në një postim në Instagram shkruan:

Bëni gjithçka keni në dorë që Albin Kurti të mos nisë një luftë të re në Ballkan.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë e akuzoi Kurtin se me çdo kusht dëshiron të “shkaktojë luftë e konflikte”. Vuçiç takoi përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Gjermanisë, si dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Europian në Serbi.

Ky është takimi i dytë i Presidentit të Serbisë me përfaqësues të BE-së dhe QUINT-it brenda dy ditësh. Një ditë më parë, ai tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit që pati me ta.

Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë.

Takimet u zhvilluan për shkak të tensioneve të shtuara mes Kosovës e Serbisë në ditët e fundit e fundit.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi serbin Milun Milenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, ndërsa Prishtina thotë se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, në territorin e Kosovës.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun me shumicë serbe janë rritur ndjeshëm. Tensionet nisën më 26 maj kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve atje.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.