Serbia i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kundërpërgjigjja e Serbisë ka të bëjë me deklaratën e Kurtit, që të dielën e quajti presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç “Putini i vogël”, duke iu referuar miqësisë mes tyre dhe tensioneve që shkakton Beogradi zyrtar në rajon, sidomos në Kosovë.
Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç, e ka quajtur Kurtin “Hitleri i vogël nga Ballkani”, shkruan “B92”.
“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, i cili nuk do të lejojë askënd që të pastrojë etnikisht popullin tonë nga krahina jugore dhe kryejë spastrime e stuhi të reja”, ka thënë Petkoviç.
Zyrtari serb ka folur se si presidenti i tij Vuçiç është garantues i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe se Serbia “po mundohet për të mirën e gjithë Ballkanit”.
“Ndërsa Beogradi i ndihmonte serbët dhe shqiptarët, Prishtina po rinovon shtëpinë përkujtimore të bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva, ndërsa Hitleri i vogël dëshiron të krijojë një Shqipëri të madhe, Beogradi po mbron nismën Ballkani i Hapur dhe ndërsa refuzon të formojë Asociacionin si garantues të paqes dhe stabilitetit, Kurti po e dërgon ROSU-n në mjediset ku jetojnë serbët”, ka shtuar Petkoviç.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një reagim ditën e djeshme, është shprehur se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është ‘Putin i vogël’, dhe se me të dhe presidenti e Republika Srpskas në Bosnjë dhe Hercegovinë , Milorad Dodik paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është e kërcënuar.
“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.
Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.
Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë.
Kështu thoshin edhe për Putinin.
Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi.”, thuhej në reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.