Botë e Çuditshme Tech

​WhatsApp teston heqjen e lajmeve të rreme me anë të inteligjencës artificiale!

Meta po punon në një veçori të WhatsApp që u lejon përdoruesve të verifikojnë dezinformimin dhe lajmet e rreme në biseda, në kohë reale dhe pa dalë nga aplikacioni. Butoni quhet Ask Meta AI dhe u zbulua nga faqja e specializuar e internetit WaBetaInfo. Për të verifikuar përmbajtjen e një lajmi, zgjidhni Ask Meta AI nga menyja e aplikacionit dhe përmbajtja do të përcillet automatikisht te chatbot-i i Metës, të cilit përdoruesi do t’i bëjë një pyetje specifike.

Për momentin, veçoria është e disponueshme vetëm për disa përdorues si provë dhe ajo do të shpërndahet gradualisht për të gjithë. Kompania e Mark Zuckerberg synon të frenojë përhapjen e dezinformimit, i cili përhapet me shpejtësi përmes bisedave. Mbetet të shihet se si do të funksionojë ky sistem, i cili mbështetet në Inteligjencën Artificiale (IA), pa mbikëqyrje njerëzore.

WhatsApp ka prezantuar një asistent shkrimi të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, në rast se një përdorues ka nevojë për ndihmë me tekstin ose diçka të ngjashme. AI ofron sugjerime në një sërë stilesh, të tilla si profesionale, qesharake ose mbështetëse. Pasi të gjenerohet, përdoruesi mund të vazhdojë të redaktojë mesazhin nëse është e nevojshme. Gjithçka që duhet të bëni është të kërkoni ikonën e re të lapsit në një bisedë individuale ose në grup dhe AI do të kujdeset për pjesën tjetër.

Aplikacioni aktualisht është duke u lançuar, por vetëm në anglisht dhe për përdoruesit në SHBA. Kompania thotë se shpreson ta “ofrojë atë në gjuhë dhe vende të tjera më vonë këtë vit”. Megjithatë, ekziston një problem privatësie. Mesazhet e WhatsApp mbrohen nga enkriptimi nga fillimi në fund, por pyetjet e AI zakonisht dërgohen në një qendër të dhënash në cloud diku.