WhatsApp po prezanton një funksion të ri që do t’u lejojë përdoruesve të komunikojnë me kontakte të reja pa zbuluar numrin e telefonit. Kompania njoftoi se rezervimi i emrave të përdoruesit (username) ka nisur këtë javë, ndërsa funksioni do të jetë i disponueshëm gradualisht për të gjithë përdoruesit gjatë vitit 2026. Sipas WhatsApp, ndryshimi synon të forcojë privatësinë, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të komunikojnë vetëm përmes një emri përdoruesi, pa qenë e nevojshme të ndajnë numrin personal të telefonit.
“Kur një person i ri hyn në jetën tuaj, qoftë një shok klase, një fqinj apo dikush që takoni në një aktivitet, ndarja e numrit të telefonit mund të duket si një hap i madh. Ndonjëherë thjesht dëshironi të bisedoni pa dhënë numrin tuaj”, tha kompania. Funksioni i ri do të jetë i vlefshëm edhe në bisedat në grup, ku përdoruesit do të mund të marrin pjesë pa e bërë të dukshëm numrin e tyre të telefonit për të gjithë pjesëmarrësit.
Për më shumë se tre miliardë përdoruesit e platformës, WhatsApp ka vendosur të hapë paraprakisht rezervimin e emrave të përdoruesit, në mënyrë që secili të ketë më shumë mundësi të sigurojë emrin që dëshiron. Për ata që nuk kanë një ide për emrin e tyre, aplikacioni do të ofrojë edhe një gjenerues automatik emrash. Ndërkohë, krijuesit e përmbajtjes, bizneset e vogla dhe organizatat do të kenë mundësi të përdorin të njëjtin emër që kanë në Instagram ose Facebook.