WhatsApp ka filluar testimin e opsioneve të reja për thirrjet audio dhe video të destinuara për përdoruesit e Android dhe një funksion që do të përmirësojë më tej privatësinë është në përgatitje e sipër. Funksioni i parë është butoni “mute” që do t’i lejojë përdoruesit t’i përgjigjen një thirrjeje me mikrofonin e fikur. Ka spekulime se funksioni mund të jetë i dobishëm në mjedise të zhurmshme. Funksioni i dytë lidhet me thirrjet me video që lejojnë përdoruesin të fikë kamerën përpara se t’i përgjigjet telefonatës.
Kjo është e dobishme për ata që kanë nevojë për disa sekonda për t’u përgatitur përpara se të shfaqen para kamerës, ose ata që thjesht nuk duan një videotelefonatë. Kjo mbron më tej privatësinë kur telefonoheni nga numra të panjohur. Funksioni i tretë janë reagimet emoji për video thirrjet. Përdoruesit do të mund të reagojnë me emoji në kohë reale gjatë telefonatave.
Këto veçori janë të disponueshme për disa testues beta të WhatsApp për Android dhe do të shpërndahen për më shumë përdorues në javët e ardhshme. Ndërkaq, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike apelon tek qytetarët të bëjnë kujdes, pasi po shpërndahen mesazhe mashtrimi në platformën “Whatsapp”. Rikujtojmë se përdoruesit e WhatsApp kanë shprehur zemërim për një veçori të re të Inteligjencës Artificiale, duke thënë se është ‘e pakuptimtë dhe irrituese’.
Meta AI u integrua për herë të parë në WhatsApp në 2023 dhe u reklamua si një chatbot i dobishëm që mund t’u përgjigjet pyetjeve tuaja, t’ju mësojë diçka ose të ndihmojë në krijimin e ideve të reja. Por kjo veçori ka ngjallur reagime pasi përdoruesve nuk u jepet mundësia për të hequr chatbotin. Meta lançoi funksionin Meta AI në SHBA dhe Kanada në 2023. Që atëherë është integruar në platformat e mesazheve dhe rrjeteve sociale të Meta, duke përfshirë WhatsApp, Instagram dhe Facebook, në të gjithë Evropën, Australi, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut dhe Indi.