Ka disa vendime në jetë që mbeten përherë në kujtesë, dhe për aktorin Will Smith, një prej tyre është pikërisht refuzimi i rolit kryesor në një nga filmat më të suksesshëm të dekadës së fundit: “Inception”.
Në një intervistë të fundit për Kiss Xtra, Smith tregoi për herë të parë se ai ishte zgjedhja e parë për të interpretuar protagonistin e filmit të famshëm të Christopher Nolan, por e refuzoi, pasi nuk e kuptoi konceptin e projektit në atë kohë.
Nuk e kam thënë kurrë më parë, por tani e ndjej se mund ta ndaj këtë me ju. Christopher Nolan ma ofroi rolin, por nuk e kapa dot idenë. Këto filmat me realitete alternative janë të vështirë për t’u përtypur. Edhe mua më dhemb ende kur e kujtoj!
-u shpreh aktori me sinqeritet.
Roli, që fillimisht iu propozua edhe Brad Pitt-it, përfundoi tek Leonardo DiCaprio, i cili shkëlqeu dhe ndihmoi që “Inception” të bëhej një prej filmave më të njohur dhe më të suksesshëm të kinemasë moderne.
Ky nuk është rasti i vetëm kur Will Smith ka refuzuar projekte që më pas rezultuan legjendare. Aktori ka pranuar se edhe “The Matrix” dhe “Django Unchained” ishin mes roleve që ai nuk pranoi, e që më vonë u kthyen në ikona të ekranit të madh.