Aktualitet

Zbardhen rrethanat tragjike të vdekjes së dy vëllezërve në Mallakastër!

Zbardhet ekspertiza lidhur me vdekjen e dy vëllezërve të moshuar. Trupat e pajetë të Novruz e Sabri Velajt të moshave 85 dhe 90 vjeç u gjetën një ditë më parë në banesën e tyre në fshatin Çorrush të bashkisë Mallakastër. Ishin banorët e zonës që njoftuan. Burime zyrtare nga Policia e Fierit, bëjnë te ditur se dy vëllezërit kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale katër apo pesë ditë më parë.

Jo të martuar, ata banonin në një godinë në dhoma të veçanta. Duket se njëri prej tyre ka tentuar të veshë ose të heqë pantallonat, por për fat të keq humbi ekuilibrin e ka rënë në dysheme ku ka goditur kokën e si pasojë nga hematoma dhe mosha ka ndërruar jetë, por dera e dhomës ka qenë e mbyllur.

Ndërkohë vëllai tjetër i paralizuar prej vitesh që rrinte në dhomën tjetër pasi ka dëgjuar zhurmë, ka tentuar të hapë  derën por s’ka mundur dhe në këtë përpjekje dyshohet të ketë ndërruar jetë. Dy viktimat jetonin vetëm me pensionet e pleqërisë, nuk kishin të afërm dhe banesa e tyre ishte rikonstruktuar tre vjet më parë nga Bashkia Mallakastër.