Aktualitet

Kultivoi lëndë narkotike në parcelën e tij, arrestohet 58-vjeçari në Mallakastër!

Një 58-vjeçar nga Mallakastra ka rënë në prangat e policisë. Kastriot Xhemalaj u arrestua në flagrancë pasi kishte mbjellë në një parcel 77 bimë lëndë narkotike. “Nga kontrollet, në fshatin Visokë u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 77 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, u kap në flagrancë, në parcelë, shtetasi K. Xh., 58 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale Kultivimi i bimëve narkotike”-njofton policia.

Rikujtojmë se SPAK ka zbuluar dhe goditur një rrjet kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash, përmes sistemit “Hawala”. Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.