Aktualitet

Zbardhen vendimet e Qeverisë, Shqipëria pakt me Poloninë për pensionet, Ibrahimaj: Katër marrëveshje të tjera duke u negociuar

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, komunikoi për mediat vendimet e miratuara.

Ajo u shpreh se qeveria miratoi në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në këtë fushë.

“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sot kaloi një projektvendim, që është i rëndësishëm. Është miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në 17.

 Kjo është një politikë që prej vitesh ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës. Ka qenë një problem që ndër vite është mbartur. Ne kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë. Numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali është shumë i lartë.

Jemi duke vazhduar me intensitet të lartë. Janë katër marrëveshje që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt mendojmë se do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar dhe më pas për t’u firmosur.”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se janë propozuar ndryshime për 3 ligje të sistemit financiar që synojnë modernizimin dhe përafrimin me legjislacionin e BE.

“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam disa ndryshime të rëndësishme që prekin :
• Ligjin Për shërbimet e pagesave;
• Ligjin “Për sistemin e pagesave”;
• Si dhe ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’.

Të treja projektligjet e propozuara i shërbejnë, jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, këto ndryshime sjellin përfitime konkrete edhe për qytetarët dhe biznesin, përmes :

• Reduktimit të kostove të shërbimeve financiare;
• Rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar;
• Forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve;
• Nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg.

Ndaj, kjo paketë projektligjesh do të shërbejë, si për zhvillimin e tregut financiar, ashtu edhe për transformimin e mëtejshëm të ekonomisë”, tha Malaj.