Aktualitet

Zbulohet cannabis në Lezhë, arrestohet një shtetas/Dy të tjerë në kërkim!

Një shtetas u arrestua dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia e Lezhës në kuadër të operacionit “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi S.B., alias S.M., 30 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, person i shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, për veprën penale plagosja e lehtë me dashje.

Në vijim të operacionit u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 25 vjeç,(vëllai i të arrestuarit) dhe F. F., 30 vjeç, të dy banues në Velipojë, Shkodër. Të dy vëllezërit, S.B. dhe M.B., rezultojnë persona të shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë vijojnë punën për kapjen e tyre. Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Stacionit të Policisë Shëngjin, në Malin e Rencit u evidentua një parcelë me rreth 3334 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.

Gjatë operacionit u sekuestrua një armë gjahu, e dyshuar se përdorej për ruajtjen e parcelës. Fidanët dhe bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia e Shtetit vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.