Një automjet u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në qytetin e Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, makina ndodhej e parkuar brenda oborrit të Dioqezës e prej rreth një jave nuk ishte në përdorim.
Duke qenë se në momentin e shpërthimit të flakëve nuk ka patur persona në mjet, nuk raportohen të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet zjarrfikëse, që bënë të mundur neutralizimin e flakëve dhe kanë parandaluar përhapjen e zjarrit drejt godinës së Ipeshkvisë së Lezhës.
Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt ose shkëndijë elektrike në automjet, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.