Bota

Zbulohet insekti gjigant në Australi!

Në një zonë të largët të pyjeve tropikale malore në Kuinslandin Verior (Queensland) në Australi, shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re të insektit shkop, e cila besohet të jetë më e rënda e gjetur ndonjëherë në vend. Specia e re, e quajtur Acrophylla alta, peshon 44 gramë, afërsisht sa një top golfi, dhe arrin një gjatësi prej 40 centimetrash.

Zbulimi është bërë nga profesori Angus Emmott i Universitetit James Cook. Ai shpjegoi se madhësia e pazakontë e insektit mund të jetë një përshtatje evolucionare ndaj kushteve të ftohta dhe të lagështa të habitatit të tij. “Masa e trupit mund të ndihmojë që të mbijetojë në kushte më të ftohta, ndaj ka evoluar në këtë madhësi gjatë miliona vjetëve”-deklaroi Emmott.

Kjo specie është gjetur në majat e larta të pyjeve tropikale, ku qasja është jashtëzakonisht e vështirë. Sipas Emmott, izolimi i habitatit ka ndikuar që specia të mbetej e pazbuluar për kaq gjatë. “Jeton lart në kurorën e pemëve dhe në një zonë shumë të kufizuar. Vetëm nëse ndonjë ciklon ose zog e sjell poshtë, dikush mund ta shohë”-tha ai.

Zbulimi u konfirmua edhe përmes vezëve të veçanta të insektit. Çdo specie e insektit shkop ka vezë me forma, struktura dhe tekstura unike, që ndihmojnë në identifikimin e tyre. Dy ekzemplarë të Acrophylla alta janë shtuar në koleksionin e Muzeut të Kuinslandit, për të ndihmuar në studime të mëtejshme shkencore mbi këtë insekt mbresëlënës.