Për dekada me radhë, shkencëtarët janë përqendruar te ndikimi që udhëtimet në hapësirë kanë në muskuj, kocka dhe organe të tjera të trupit. Megjithatë, studime të reja po tregojnë se mungesa e gravitetit ndikon ndjeshëm edhe në tru, duke e detyruar atë të përshtatet dhe të riorganizohet për një mjedis krejtësisht të ndryshëm nga ai i Tokës. Një analizë e re e publikuar në revistën shkencore Frontiers in Psychology ka bashkuar rezultatet e 15 studimeve të imazherisë së trurit, që përfshijnë 377 pjesëmarrës, mes tyre astronautë dhe vullnetarë që kanë marrë pjesë në simulime të fluturimeve hapësinore në Tokë.
Sipas studiuesve, ashtu si trupi pëson ndryshime në hapësirë, edhe truri pëson transformime strukturore dhe funksionale. Shkencëtarët identifikuan disa zona të trurit që ndryshojnë kur organizmi ekspozohet ndaj mikrogravitetit. Këto ndryshime prekin veçanërisht pjesët e trurit që kontrollojnë lëvizjen, ekuilibrin dhe vetëdijen për pozicionin e trupit në hapësirë. Gjithashtu u vunë re ndryshime në zonat që përpunojnë informacionet shqisore dhe ndihmojnë organizmin të kuptojë orientimin e tij.
Sipas autores kryesore të studimit, profesoreshës Elisa Raffaella Ferre nga Universiteti Birkbeck në Londër, graviteti është një element themelor që truri i njeriut e përpunon vazhdimisht, edhe pse ne nuk e perceptojmë atë në mënyrë të vetëdijshme. Që nga zhvillimi i hershëm në barkun e nënës, truri mëson të funksionojë në një mjedis ku graviteti është gjithmonë i pranishëm. Për këtë arsye, veprime të përditshme si ngritja e një filxhani kafeje kryhen pa menduar, sepse truri automatikisht llogarit forcën e gravitetit dhe koordinon lëvizjet e muskujve.
Në hapësirë, ku graviteti mungon, këto mekanizma duhet të rikalibrohen. Kjo shpjegon pse astronautët gjatë ditëve të para në orbitë shpesh përplasen me muret ose lëvizin objektet me më shumë forcë sesa duhet. Ndërsa astronautët mund të përshtaten gradualisht me jetën në mikrogravitet, problemi lind kur duhet të rikthehen në një mjedis me gravitet.