Sot në Londër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky takohet me aleatët kyç evropianë pasi presidenti amerikan, Donald Trump e akuzoi se nuk e kishte lexuar propozimin më të fundit për paqe.
Ne po nisim një javë të re diplomatike tani. Do të ketë konsultime me udhëheqësit evropianë. Para së gjithash, çështjet e sigurisë, përkrahja për qëndrueshmërinë tonë dhe paketat mbështetëse për mbrojtjen tonë, tha Zelensky.
Në Londër, Zelensky pritet të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz, përkrahësit më të mëdhenj të Kievit në Evropë. Duke folur para gazetarëve, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kritikoi homologun ukrainas, duke thënë se ka mbetur “pak i zhgënjyer”.
Ne kemi biseduar me presidentin [rus] Vladimir Putin dhe kemi biseduar me udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelensky-n, presidentin Zelensky e duhet të them se jam pak i zhgënjyer që presidenti Zelensky ende nuk e ka lexuar propozimin, të paktën para disa orësh.
Bisedimet në Londër vijnë pas tri ditë negociatash mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë në Majami. Këto diskutime përfunduan me një ton pozitiv, por pa ndonjë përparim konkret.
Administrata e presidentit Trump po i bën presion Kievit të pranojë një propozim paqeje që shumë kritikë thonë se anon dukshëm në favor të Rusisë. Pas negociatave në Majami, Zelensky tha se ka biseduar me Steve Witkoff-in e Jared Kushner-in.
Të dërguarit amerikanë janë të informuar për pozicionet kryesore të Ukrainës dhe biseda ishte konstruktive, megjithëse jo e lehtë. Pres informacione të detajuara prej tyre për gjithçka që u është thënë emisarëve amerikanë në Moskë, si dhe për nuancat që amerikanët janë të gatshëm t’i modifikojnë në negociatat me ne e me rusët.
Zelensky iu referua kryenegociatorëve ukrainas, Rustem Umerov e Andriy Hnatov, të cilët përfaqësuan Ukrainën në negociatat në Majami. Ndërkaq, Rusia ka vazhduar sulmet ajrore ndaj infrastrukturës kyç të Ukrainës teksa temperaturat e dimrit vazhdojnë të bien.
Orët e fundit, forcat ruse sulmuan qytetin Ohtirka në rajonin e Sumit. Guvernatori Oleh Hryhorov tha se shtatë persona u plagosën nga një sulm ndaj një godine banimi 9-katëshe, të cilët u dërguan në spital. Sipas Shërbimit të Emergjencave të Ukrainës, zjarrfikësit shuan një zjarr që kishte përfshirë 4 kate dhe evakuuan 35 banorë, duke shpëtuar 7 vetë, përfshirë një fëmijë.
Në Çernihiv, një objekt banimi u dëmtua si pasojë e rrëzimit të një droni rus. Tre persona u plagosën, një prej të cilëve u shtrua në spital, siç shkroi Shërbimi i Emergjencave në Telegram. Para vizitave të planifikuara të Zelensky-t në Londër, Bruksel e Romë për të diskutuar mbi procesin e paqes, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, zhvilloi një bisedë telefonike me të.
Meloni rikonfirmoi solidaritetin e Italisë me Kievin dhe u zotua se do t’i dërgojë ndihmë për të mbështetur infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe popullsinë atje. Zyra e Melonit shtoi:
Italia do të dërgojë furnizime shtesë, përfshirë gjeneratorë, për të mbështetur infrastrukturën energjetike e popullsinë ukrainase, duke theksuar se qëllimi mbetet një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë.