Rajoni

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, KQZ-ja sqaron votuesit jashtë vendit!

Mbi 100 mijë zgjedhësit e regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës do të mund të votojnë më herët se qytetarët që votojnë brenda vendit, më 9 shkurt të 2025-ës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet:

Varësisht se cilën mënyrë të votimit ka përzgjedhur votuesi jashtë Kosovës, është caktuar edhe periudha e votimit. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u ka dhënë tri mundësi shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për të përzgjedhur se si duan të votojnë vendit.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegoi afatet e votimit për tri mënyrat e përcaktuara me ligj. Duke folur për votimin në përfaqësi diplomatike, Elezi tha se kjo mënyrë organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.

Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë.

Mënyra e dytë e votimit përmes postës për votuesit që janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

Mënyra e tretë dhe e fundit ka më së shumti votues të regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, do të fillojë më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

Sipas KQZ-së, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.

Këtë informacion, KQZ-ja ia ka transmetuar individualisht çdo shtetasi që ka aplikuar dhe është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.